Maliki krijon komision për hetimin e përleshjeve të Karbalës

Kryeministri irakian Nuri al-Maliki krijoi një komision për hetimin e përleshjeve të javës së kaluar gjatë një feste fetare shiite ku mbetën të vrarë më shumë se 50 veta.

Një deklaratë e publikuar nga zyra e zotit Maliki thotë se komisioni do të jetë i paanshëm dhe objektiv.

Para njoftimit, kleriku radikal shiit Moktada al-Sadr paralajmëroi se do të ndërmerrte veprime që nuk i përcaktoi me hollësi nëse qeveria irakiane nuk arrin ta hetojë dhunën e shkaktuar në Karbala. Javën e kaluar, ai dha urdhër për ngrirjen e aktiviteteve të milicisë së tij Ushtria Mehdi.

Zyrtarët irakianë thanë se persona të armatosur besnikë të al-Sadr-it morën pjesë në luftimet në Karbala, akuzë që Ushtria Mehdi e mohon.

Autoritetet irakiane thonë se kanë arrestuar më shumë se 260 persona për t’i marrë në pyetje rreth përplasjeve.

Në zhvillime të tjera, një makinë bombë në distriktin Kadimijah të Bagdadit vrau katër persona dhe plagosi shtatë të tjerë.