BE-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet për të rindërtuar Greqinë Jugore

Presidenti i Komisionit Evropian Zhoze Manuel Baroso tha se Europa do të bëjë çdo gjë që është e mundur për të ndihmuar rindërtimin e Greqisë Jugore ku nga zjarret kanë vdekur të paktën 64 persona dhe janë shkatërruar shumë hektarë toke bujqësore.

Zoti Baroso e bëri këtë premtim pas një vizite me helikopter me kryeministrin grek Kostas Karamanlis në zonat e prekura nga zjarret. Presidenti i Komisionit Europian tha se problemi i Greqisë është problem i Europës. Ai nuk bëri të ditur ndonjë shifër të saktë për ndihmën.

Dje Komisionerja Europiane për politikat rajonale Danuta Hubner fluturoi mbi rajonet e dëmtuara për të vlerësuar nevojat e Greqisë. Ajo tha se Bashkimi Europian mund të ofrojë deri në 800 milionë dollarë ndihma për Greqinë këtë vit.

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar më shumë se një milionë dollarë ndihma dhe asistencë teknike.

Nga vlerësimet e para mendohet se dëmet nga zjarret janë rreth 2 miliardë dollarë. Zjarrëfikësit ndërkohë vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve të mbetura.

Autoritetet greke thonë se zjarret të cilat javën e kaluar përfshinë gjithë Greqinë jugore, janë vënë nën kontroll. Policia ka akuzuar gjashtë vetë për zjarrvënie por ekspertë të mjedisit thonë se një pjesë e përgjegjësisë bie edhe mbi zyrtarët shtetërorë.

Në fillim ishte ferri i zjarreve, tani është zemërimi i publikut që proteston ndaj mënyrës se si qeveria e trajtoi këtë katastrofë.

Ekspertët e pyjeve thonë se ngadalësia në shuarjen e zjarreve edhe mund të falet. Fajin e vërtetë ata ia hedhin një vendimi të vitit 1998 për transferimin e përgjegjësive të tilla nga departamenti i pyjeve tek ai i zjarreve.

Ish këshilltari i qeverisë dhe eksperti i zjarreve, Gavril Xanthopoulos thotë se ishin politikat shtetërore dhe injoranca që çuan në tragjedinë e kësaj vere.

"Ata filluan të evakuojnë fshatra në vend që të mobilizonin fshatarët dhe të pastronin zonat rreth fshatrave ndërkohë që kishin ende kohë."

Qeveria nuk u është përgjigjur direkt këtyre akuzave por ka premtuar kompensime të menjëhershme për viktimat.

Ekspertët e pyjeve thonë se pyjet në pellgun e Mesdheut digjen lehtë prandaj përgjigja më e mirë është parandalimi dhe jo shuarja e zjarreve.

Pastrimi i trungjeve dhe degëve, që janë ushqimi natyror i zjarreve, krijon barriera rreth fshatrave që nuk e lejojnë përhapjen e zjarreve.

Ekspertët thonë gjithashtu se në të kaluarën, ndërtuesit e pamëshirshëm kanë shfrytëzuar ligjet e dobëta për mbrojtjen e mjedisit dhe u kanë vënë vetë flakën pyjeve për të përfituar.

Dëmet që i kanë shkaktuar zjarret mjedisit ende nuk janë vlerësuar.

Një ndër problemet e shkaktuara është mundësia e vërshimit të mijra njerëzve të zhvendosur drejt qyteteve të mbipopulluar.

Në Athinë, veprimtarët e mjedisit thonë se erërat e nxehta të shkaktuara nga zjarret mund të kenë ndikuar madje në sistemin natyror të ajrit që vjen nga malet dhe që ftoh qytetin.

Drejtori i Organizatës Greenpeace për Greqinë, Nikos Haralambides thotë se fajin e kanë qeveritë.

"Kjo është arsyeja që ka shumë zemërim mes publikut dhe kjo është diçka me të cilën përballen partitë politike pas zgjedhjeve. Ata e dinë se ka një zemërim shumë të madh dhe se duhet të ndryshojnë politikën."

Tani për tani zjarret po pakësohen por ekspertët thonë se e ardhmja duket e zymtë nëse nuk gjendet vullneti politik për të investuar jo vetëm në pajisjet zjarrfikëse por edhe në parandalimin e zjarreve.//kk//