Britania përballet me çështjet e vështira të tolerancës fetare

Toleranca fetare në Britani po vihet në provë pas dy përpjekjeve për sulme me bombë në fillim të verës. Të gjithë të dyshuarit për sulmet janë muslimanë. Ndërkohë, një lëvizje tjetër e vajzave muslimane vetëm se ka shtuar tensionet ndërmjet shumë britanikëve dhe pakicës muslimane.

Eshtë një çështje shumë e përfolur. Nixhabi, një perçe që mbulon tërë fytyrën po bëhet gjithnjë e më e përhapur ndër gratë muslimane. Shumë jo muslimanë e shohin këtë si sfidë ndaj kulturës perendimore ndërsa të tjerë si një formë radikalizimi. Christofer Doyle i Këshillit Britaniko Arab të Mirëkuptimit thotë se asnjëra nga këto nuk është e vërtetë.

”Në komunitetet e ndryshme, jo vetëm në Britani por edhe në vende të tjera evropiane dhe në Lindjen e Mesme, ka një ndjenjë se islami është nën kërcënim dhe po poshtërohet sidomos në Perendim. Gratë e vënë perçen për të thënë pikërisht se jam krenare që jam muslimane.”

Zyra britanike e Statistikave Kombëtare thotë se në Britani jetojnë rreth 2 milonë muslimanë duke e bërë islamin fenë e dytë më të madhe në vend. Këshilli musliman në Britani thotë se komuniteti i atjeshëm musliman është vënë në trysni që nga sulmet terroriste në Londër në vitin 2005 dhe sulmet e dështuara këtë vit në Glasgou dhe Londër. Politikanët britanikë janë hedhur në ofensivë.

Ministri i Drejtësisë e sheh nixhabin si pengesë për komunikimin ndërsa ish kryeminstri Toni Blair e quan atë një shenjë të ndarjes. Në muajin mars qeveria u dha administratave të shkollave të drejtën që të ndalojnë mbajtjen e hixhabit nga nxënësit.

Organizata joqeveritare Policy Exchange në Londër thotë se një numër gjithnjë e më i madh i muslimanëve e shohin mbajtjen e nixhabit si shprehje të kundërshtimit ndaj politikave të qeverisë sidomos ndaj luftës në Irak. Mahxhabin Khan filloi ta mbajë nixhabin kur ishte në universitet. Ajo thotë se këtë po e bëjnë gjithnjë e më shumë gra muslimane.

"Që nga sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara dhe Britani mendoj se shumë gra filluan ta mbajnë hixhabin dhe nixhabin për të thënë se janë krenare që janë muslimane.”

Dhe janë kryesisht vajza të reja që kanë vendosur të mbajnë nixhabin, thotë shitësja e perçeve Jasmin Salaam.

”Ndjenja e negativizmit që e sheh te mjaft njerëz, edhe te media, i inkurajon shumë të reja që të bëjnë pikërisht të kundërtën, të mbajnë hixhabin dhe me këtë të japin një mesazh.”

Por jo të gjithë muslimanet e përkrahin këtë prirje. Poetja Shusha Gapi thotë se kjo gjë e neverit.

"Do të doja t’u thosha atyre vajzave se kjo nuk është simbol i një ndryshimi apo identiteti por është vetëm simbol i shtypjes. Gjenerata e nënës sime luftoi tërë jetën që ta hiqte këtë simbol të tmerrshëm ndërsa ju doni ta ktheni atë vullnetarisht. Kjo është pa kuptim sepse ne po i japim municion armiqve të islamit."

Një tjetër grua muslimane, Shah Rokh Husein pajtohet me këtë. Ajo thotë se perçja nuk është shenjë e fesë.

"Ajo me të cilën unë nuk pajtohem është se ndonjëherë grupe agresive muslimane e paraqesin atë si diçka që është pjesë e fesë islame e cila në realitet nuk është.”

Sektet e ndryshme të Islamizmit kanë shpesh edhe mosmarrëveshje për çështje të ndryshme. Këshilli Musliman Britani thotë se edukimi dhe dialogu janë të nevojshëm jo vetëm për të inkurajuar mirëkuptimin ndërmjet grupeve të ndryshme islame por edhe për të riparuar marrëdhëniet me komunitetin jo musliman. Dhe shton se pa ndodhur kjo, nga të gjitha palët do të ketë dyshime. //ii