Reese Witherspoon është nënë, fituese e çmimit Oskar dhe tani përfaqësuese e firmës kozmetike Avon. Kompania Avon Products njoftoi dje se ka nënshkruar kontratë me aktoren për ti dhënë pozicionin e Ambasadores Globale, i pari për kompaninë.
Në rolin e saj të ri Witherspoon do të shërbejë si kryetarja e Nderit e Fondacionit Avon që përqëndrohet në kërkimet për kancerin e gjirit, dhunën në familje dhe nismat për ndihma emergjente. Ajo do të jetë gjithashtu zëdhënëse për prodhimet kozmetike të Avonit.
Si pjesë e marrëveshjes disa vjeçare, Witherspoon do të jetë e përfshirë gjitashtu në iniciativat për produkte të reja dhe do të shfaqet në reklamat e firmës. Termat financiarë të marrëveshjes nuk janë bërë publike. Filmi i fundit i aktores, i titulluar Penelope del në kinematë amerikane më 17 gusht. //rd//