Gjykata e Lartë e Pakistanit vendosi kthimin në detyrë të gjykatësit më të lartë të vendit i cili u pezullua para disa muajsh nga Presidenti Pervez Musharraf.
Gjykatësi që drejtonte seancën Khalil-ur-Rehman tha sot kur u mor vendimi se pezullimi nga detyra i Iftikar Mohammed Çadri ishte i paligjshëm. Gjykata hodhi gjithashtu poshtë akuzat për shpërdorim detyre dhe abuzim të pushtetit prej tij nëpërmjet një vendimi me 10 vota pro dhe 3 kundër.
Zyrtarët qeveritarë thanë se presidenti Musharaf dhe qeveria kanë pranuar vendimin e gjykatës. Avokati i gjykatësit Çandri e cilësoi vendimin si historik dhe tha se ai përfaqëson lindjen e një gjykate të re të lartë, plotësisht e angazhuar në pavarësinë e juridikut.
Vendimi u prit me entuziazëm nga avokatët dhe përkrahës të tjerë që prisnin para gjykatës në kryeqytetin Islamabad.
Gjenerali Musharraf e pezulloi Çadri në mars, duke e akuzuar për abuzim me detyrën dhe nepotizëm. Veprimi i tij u prit me protesta në gjithë vendin, të cilat u kthyen në sfidën më të fortë ndaj presidentit që kur ai mori pushtetin para tetë vjetësh.
Kritikët thonë se gjenerali Musharraf e shkarkoi kryegjykatësin për t’u paraprirë sfidave ligjore lidhur me përpjekjet që ai pritet të bëjë për të ruajtur rolin e dyfishtë si president dhe shef i ushtrisë. //ze//