Islamabad: Vritet kleriku në Xhaminë e Kuqe

Ministria e Brëndshme e Pakistanit njoftoi se kleriku që udhëheq qëndresën në një xhami në Islamabad u vra pasi trupat sulmuan kompleksin.

Një zëdhënës i ministrisë tha se kleriku mysliman Abdul Rashid Gazi u vra sot gjatë një beteje midis militantëve dhe trupave qeveritare në bodrumin e Xhamisë së Kuqe. Një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze tha se ushtria po pastron një për një dhomat e kompleksit.Ai shtoi se operacioni po vazhdon dhe se tani ushtria kontrollon pjesën më të madhe të kompleksit të Xhamisë së Kuqe.

Zyrtarët pakistanezë të sigurimit thanë se nga luftimet e ashpra në kompleksin e xhamisë humbën jetën të paktën 50 militantë dhe 8 ushtarë. Autoritetet llogarisin se ushtria ka ndaluar rreth 70 militantë dhe shpëtoi më shumë se 80 veta nga kompleksi, mes tyre gra e fëmijë. //rd//