Arber Xhaferri tërhiqet nga posti i Kryetarit të Partisë

Arbër Xhaferri, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare për rreth 14 vjet, njoftoi se do të tërhiqet nga posti i udhëheqësit të partisë, ndërkohë që propozon që në krye të partisë të zëvendësohet nga Menduh Thaçi.

Zoti Xhaferi theksoi në një konferencë shtypi se vendimi i tij është përfundimtar. Partia Demokratike Shqiptare ka caktuar kongresin për këtë fundjave, ku pritet të zgjidhet kryetari i ri.

Shkaqet kryesore për tërheqjen e zotit Xhaferi nga posti i udhëheqësit të partisë mendohet të jenë shëndetësore. Megjithatë, mendohet se zoti Xhaferi do të qëndrojë në politikë, duke drejtuar Asamblenë e Përgjithshme të PDSH-së, por ende të pathemeluar, një organ i paramenduar për të marrë vendimet kyçe të partisë, para se të miratoheshin nga kryetari i saj.

PDSH u krijua si një fraksion i Partisë për Prosperitet Demokratik në vitin 1994. Zoti Xhaferi, paraprakisht ka qenë ndër themeluesit e një partie politike në Kosovë, ku jetonte prej vitesh. Ai ka punuar si gazetar në Radio Televizionin e Prishtinës. Për zotin Menduh Thaçi, ai thotë se ka një përvojë të madhe në politikë dhe se ka të zhvilluar ndjenjën për kompromis dhe për të ruajtur integritetin e partisë.//lk