Hapet "Kapsula e Kohës" pas 50 vjetësh në Oklahoma

Janë bërë tashmë traditë kapsulat e kohës, një metodë për ruajtjen e objekteve që groposen dhe hapen pas shumë vitesh nga brezat e ardhshëm, ku ato kanë vlera historike.

Mijëra njerëz u mblodhën keto dite për të parë kur një makinë Plimith Belveder e vitit 1957 u nxor në Oklahoma, 50 vjet pasi ishte groposur si një kapsulë e kohës që do të dëshmonte kulturën e pjesës qendrore të Amerikës.

Makina ishte groposur në Tulsa për të shënuar 50 vjetorin e themelimit të shtetit të Oklahomës, por në ceremoninë e çgroposjes u pa që ajo ishte dëmtuar rëndë. Makina u gjet e rrethuar nga uji në një dhomë prej betoni, që ishte thënë se mund t'i rezistonte edhe një sulmi bërthamor. Përveç kësaj, kur u hoq mbulesa mbrojtëse, u pa që Plimith-i ishte i mbuluar me ndryshk.

Shumë sende që ishin groposur me makinën ishin prishur, por një tjetër kapsulë kohe me një flamur amerikan, si edhe harta e dokumente historike u gjetën në gjendje të mirë.//lk