Pano: Vizita e Presidentit Bush në Shqipëri, episod historik për vendin

  • Intervistoi: Ikonomi

Profesor Nikolla Pano, një nga personalitetet e njohura shqiptaro-amerikane, thotë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë kontributin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe mbështetjen që marrin nga ky vend ballkanik. Në një intervistë që i dha në Çikago Zërit të Amerikës, zoti Pano, profesor i Universitetit të Ilinoit Perëndimor, komenton për vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri dhe flet për historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Zëri i Amerikës: Profesor, si do ta karakterizonit vizitën e Presidentit Bush në Shqipëri, cila është rëndësia e saj në realizimin e aspiratave të Shqipërisë për t’u pranuar në NATO dhe në BE?

Nikolla Pano: Vizita e Presidentit Bush në Shqipëri duhet parë si një episod i rëndësishëm historik për vendin. Ajo do të shënojë padyshim edhe një nga pikat kulmore në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, të cilat filluan 85 vjet më parë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Vizita e Presidentit Bush nënvizon rolin e rëndësishëm që ka luajtur Shqipëria në luftën kundër terrorizmit. Shqiptarët kanë ndihmuar me trupa për luftën kundër terrorizmit në Irak dhe në Afganistan. Ata janë treguar shumë aktivë në luftën kundër terrorizmit duke ndaluar aktivitetin e disa OJQ-ve shqiptare dhe të huaja që vepronin në Shqipëri, shumë prej të cilave nën drejtimin e qeverive apo organizatave të huaja të dyshuara për lidhje me grupe terroriste. Shqiptarët strehuan refugjatët ujgurë nga baza e Guantanamos si dhe persona të tjerë nga Algjeria dhe Egjipti. Ata kanë luajtur një rol shumë të rënmdësishëm në luftën kundër terrorizmit duke patrulluar dhe kontrolluar kufijtë e tyre, për të frenuar trafikun e qenieve njerëzore dhe të narkotikëve. Gjithashtu, shqiptarët vazhdojnë të jenë mbështetës të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha këto vlerësohen nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët janë të njohur si një nga popujt më proamerikanë të Evropës. Cilat janë rrënjët e këtij proamerikanizmi, si u formua kjo traditë?

Nikolla Pano: Rrënjët e ndjenjave forta proamerikane që ekzistojnë sot në Shqipëri e kanë zanafillën në fillim të shekullit të 20 kur në Shtetet e Bashkuara imigroi një numër i madh shqiptarësh. Ky emigracion ishte sidomos i fuqishëm në periudhën mes viteve 1892 dhe 1914. Në prag të Luftës së Parë Botërore të vitit 1914, në Shtetet e Bashkuara kishte rreth 30 mijë shqiptarë. Këta shqiptarë luajtën një rol kryesor në mbështetjen për pavarësinë e Shqipërisë që u arrit në vitin 1912. Kur gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipëria u pushtua si nga forcat e Fuqive Qendrore ashtu edhe nga ato aleate, shqiptaro-amerikanët u bashkuan në mbështetje të atdheut të tyre. Përmes organizatës së tyre kombëtare Vatra, shqiptaro-amerikanët themeluan pothuajse një qeveri në mërgim. Nëpërmjet Vatrës, shqiptarët në radhë të parë grumbulluan mjaft para për të mbështetur aktivitetet diplomatike dhe propagandistike në favor të ruajtjes së pavarësisë së Shqipërisë. Këta shqiptarë ndihmuan edhe për t’i dhënë publicitet çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara me anë të gazetave, revistave dhe përmes kontakteve me politikanët dhe me gazetarët. Këta shqiptarë u bënë individë që ngjallën interesimin e qeverisë për çështjen e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Përse Presidenti Woodrow Wilson vendosi t’i ndihmojë shqiptarët për ruajtjen e pavarësisë së tyre?

Nikolla Pano: Gjatë Konferencës së Paqes që pasoi Luftën e Parë Botërore, Presidenti Udrou Uillson u bë mbrojtësi i çështjes së Shqipërisë. Konvertimi i tij erdhi gradualisht. Është interesante kur lexon Dokumentet e Uillsonit dhe kur shikon politikën e qeverisë amerikane nga viti 1917 deri në vitin 1920, mund të vësh re një ndryshim gradual në qendrimin e qeverisë. Amerikanët synonin të bënin disa lëshime lidhur me kufijtë e Shqipërisë. Por në një çështje ata u treguan të palëkundur – se pavarësia e Shqipërisë duhej të ruhej. Në Konferencën e Paqes të Versajës, Presidenti Uillson arriti më në fund në përfundimin se nuk duhet të bëheshin kompromise në dëm të kufijve dhe pavarësisë së Shqipërisë. Ishte vendosmëria e tij për të mos nënshkruar disa traktate dhe memorandume mirëkuptimi të lindura në konferencë që bëri të mundur ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Për Shqiptarët e Amerikës, Udrou Uillsoni u bë mbrojtësi i pavarësisë së Shqipërisë. Është interesante të shënohet se vetë Presidenti Uillson ishte pak i zhgënjyer kur filloi të mendojë për çështjen shqiptare. Në një letër që i shkruante kryeministrit Llojd Xhorxh të Anglisë në nëntor 1920, Presidenti Uillson ankohej për faktin se ndonëse kishte qenë në favor të ruajtjes së statukuosë, pra ruajtjes së pavarësisë së Shqipërisë, ai kishte gabuar në një aspekt: Si ai vetë ashtu edhe fuqitë e mëdha nuk e kishin parë çështjen e Shqipërisë nga pikpamja e interesave kombëtare shqiptare. Presidenti Uillson shprehte keqardhje për këtë por megjithatë, ai kujtohet sot si njeriu që luajti rolin kryesor në ruajtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë. Që nga ajo kohë filluan të hedhin rrënjë këto ndjenja të ngrohta midis shqiptaro-amerikanëve dhe popullit shqiptar.

Zëri i Amerikës: Si filluan marrëdhëniet diplomatike dhe cilët janë elementët që ndikuan më shumë në marrëdhëniet e ngrohta që sot ekzistojnë mes dy vendeve?

Nikolla Pano: Pas këtyre fillimeve, nisi një proces i gjatë, në të cilin Shqipëria u njoh nga Shtetet e Bashkuara dhe kjo ndodhi gjatë një periudhe dyvjeçare, nga viti 1920 deri më 1922. Në korrik 1922, midis Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërisë u vendosën marrëdhënie diplomatike. Po t’i shikojmë historikisht marrëdhëniet mes Amerikës dhe Shqipërisë, vemë re tre elementë: marrëdhëniet zyrtare, pra shtet me shtet, aktivitetet e organizatave joqeveritare amerikane si para Luftës së Dytë Botërore dhe më pas në vitin 1991 kur marrëdhëniet diplomatike u rivendosën. Së treti, në këto marrëdhënie, është roli i komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili ka luajtur rolin e një ure mes Shtetet e Bashkuara dhe Shqipërisë. Ky komunitet ka mbajtur gjallë patriotizmin dhe ka ndihmuar për t’i bërë amerikanët ta kuptojnë më mirë Shqipërinë. Kjo është sidomos e vërtetë sot kur mendon për veprimtaritë e komunitetit shqiptaro-amerikan lidhur me çështjen e Kosovës, krijimin e një grupi për çështjet shqiptare në Kongresin amerikan, rolin që luajti komuniteti në rivendosjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në vitin 1991. Sot, ky komunitet vazhdon interesimin aktiv dhe mbështetjen e fortë për nismat që synojnë përmirësimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Zëri i Amerikës: Përgjithësisht si do t’i karakterizonit shqiptaro-amerikanët dhe rolin që ata luajnë në shoqërinë amerikane?

Nikolla Pano: Ky komunitet është i njohur për punën e tij të palodhur, është tradicionalisht një komunitet që respekton ligjet, një komunitet që ka arritur suksese ekonomike në Shtetet e Bashkuara. Për shembull, sipas statistikave të numurimit të popullatës në vitin 2000, paga mesatare e shqiptaro-amerikanëve është mbi pagën mesatare amerikane në shkallë vendi. Gjithashtu, numri i shqiptaro-amerikanëve që kanë mbaruar universitetin është më i lartë se mesatarja amerikane. Shqiptaro-amerikanët kanë përfituar nga mundësitë që ofron Amerika dhe kanë shfrytëzuar dijetg dhe pasurinë e tyre për të nxitur marrëdhëniet e mira mes Shqipërisë dhe Amerikës si dhe për të mbajtur gjallë traditën patriotike. //ii