Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane mes dy luftrave botërore

Vizita që Presidenti Bush pritet të bëjë në Tiranë më 10 qershor, është ndoshta një rast për të kujtuar rolin e veçantë që historia u njeh Shteteve të Bashkuara në shpëtimin e pavarësisë së Shqipërisë. Në janar të vitit 1918, Presidenti amerikan Woodrow Wilson shpalli përpara Kongresit planin prej 14 pikash i cili njihte të drejtat e popujve të vegjël për vetvendosje dhe një nga përfituesit ishte edhe populli shqiptar. Kolegu Ilir Ikonomi bisedoi me juristin Agron Alibali në Boston, i cili ka studiuar disa dokumente intersante që hedhin dritë mbi historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare mes dy luftrave botërore.

Nëntor 1918. Presidenti Wilson shkon në Paris në përpjekje për të vendosur një paqe të qendrueshme në Evropë. Fatet e vendeve të vogla si Shqipëria ishin të rrezikuara.

"Ka rëndësi të theksohet se në vitin 1919, delegacioni amerikan nuk e njihte shumë mirë gjendjen në terren, nuk kishte një të dërguar zyrtar në Shqipëri. Raportet që merrte qeveria amerikane më shumë vinin nga konsujt në vendet fqinjë".

Juristi Agron Alibali ka kohë që gërmon arkivat për të hulumtuar disa aspekte jo shumë të njohura të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ai përshkruan se si papritur në Shqipëri shkon me një mision të posaçëm konsulli amerikan në Torino, Joseph Emmerson Haven.

"Ai mbërriti në Vlorë dhe menjëherë filloi të shikojë gjendjen në terren. Vizitoi Gjirokastrën, Tepelenën, Korçën, Shkodrën. Si fryt i vëzhgimeve të drejtpërdrejta dhe takimeve të panumurta me krerët e lëvizjes politike shqiptare në atë kohë, paraqiti një raport prej 40-50 faqesh të cilin ia dërgoi me urgjencë sekretarit amerikan të shtetit dhe gjithë delegacionit amerikan në konferencën e paqes në Paris. Ky raport kam mendimin që ndikoi dukshëm në një kuptim më të qartë dhe më të plotë të gjendjes në Shqipëri nga ana e delegacionit amerikan".

Kjo njohje e plotë e gjendjes në terren, thotë zoti Alibali, bëri që qendrimi amerikan të ishte në favor të ruajtjes së integritetit territorial të Shqipërisë, të forcimit të pavarësisë së saj. Fill pas kësaj, në shkurt të vitit 20, forcat politike shqiptare nga jugu dhe nga veriu u mblodhën në Lushnje dhe hodhën themelet e shtetit modern shqiptar.

Në korrik 1922, u lidhën edhe marrëdhëniet diplomatike të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Në vitin 1930, Presidenti Herbert Hoover emëron në krye të ambasadës amerikane një personalitet të shquar amerikano-hebre, Herman Bernstein.

"Ai ishte një gazetar i shquar dhe studiues i thellë, por u bë edhe një njohës i madh i çështjes shqiptare dhe nxitës i fuqizimit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Në atë kohë, u hap edhe ambasada amerikane në Shqipëri ku ende ndodhet sot. Kundërpala e tij në Uashington ishte ministri i plotfuqishëm Faik Konica. Pra kemi në të dy anët e Atlantikut dy personalitete të jashtëzkonshme dhe rezultatet e punës së tyre u ndjenë shumë shpejt".

Zoti Alibali ka patur rastin të gërmojë në arkivën personale të ambasadorit Bernstein në Nju Jork.

"Ka një fuqizim të madh në shkëmbimet e njerëzve, disa personalitete të rëndësishme amerikane vizituan në atë kohë Shqipërinë. Ambasadori Bernstein ishte një vëzhgues i hollë i zhvillimeve në Evropë, ku po ngjalle fashizmi dhe nazizmi. Ekziston një dorëshkrim i tij i botuar në revistën prestigjoze Foreign Affairs, ku ai shpreh shqetësimin se Shqipëria duhet ndihmuar, përndryshe mund të gllabërohet nga Italia, shqetësim i cili më vonë u vërtetua. Në të njëjtën kohë, Konica këtu në Shtetet e Bashkuara përpiqej të fuqizonte më tej këto marrëdhënie dhe në shkurt 1931 kemi një botim interesant dhe unik për kohën, një artikull në revistën National Geographic për Shqipërinë. Është me rreth 30-40 faqe dhe përmban disa fotografi të mrekullueshme për Shqipërinë e asaj kohe. Artikulli është shumë pozitiv dhe ka një frymë optimiste për shtetin e ri shqiptar".

Fakti që Ahmet Zogu e mbajti Faik Konicën për një kohë të gjatë si përfaqësues të tij në Uashington ndikoi për mirë në marrëdhëniet mes dy vendeve. "

Faiku ishte një ndër diplomatët më të shquar në korpusin diplomatik të Uashingtonit në atë kohë. Ishte jashtëzakonisht i ditur në të gjitha fushat, dinte shumë gjuhë të huaja. Bëri shumë miq në Uashington dhe vazhdoi të ushtrojë funksionet diplomatike deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939".

Ky pushtim u prit me shumë shqetësim në Amerikë.

"Kjo del sidomos në kujtimet e Sekretarit amerikan të Shtetit në atë kohë, Cordel Hull, i cili deklaron në botimin përkatës se “edhe pse Shqipëria ishte një vend i vogël, edhe pse popullsia e saj ishte 1 përqind e Amerikës, ne nuk mund të lejonim që një vend i vogël të gllabërohej në mënyrë të dhunshme nga një fuqi e huaj në Evropë, nga Italia".

Shtetet e Bashkuara vazhduan të njihnin si të dërguar të qeverisë shqiptare në Uashington Faik Konicën deri më 24 qershor të atij viti kur qeveria propushtuese në Shqipëri vendosi të mbyllë të gjitha konsullatat jashtë vendit. //rd//