Rusia paralajmëroi se raketat e saj do të vënë në shënjestër objektivat në Evropë, në se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me planet për të ndërtuar sistemin e mbrojtjes nga raketat në afërsi të kufirit të vendit.
Në një artikull të botuar sot në gazetën italiane Corriere della Sera, presidenti rus Vladimir Putin thotë se në se kapaciteti bërthamor amerikan zgjerohet në mbarë Evropën, atëherë Rusia do të ketë objektiva të reja. Rusia nuk i ka drejtuar raketat e saj në Evropë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Sot paradite, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha në televizionin shtetëror se Rusia është e detyruar të parandalojë kërcënimet e mundshme që vijnë nga çdo lëvizje amerikane për të vendosur arsenale në Evropë në afërsi të kufirit me Rusinë. Ai tha se elementët e sistemit amerikan të mbrojtjes nga raketat po vendosen kryesisht në kufijtë e Rusisë dhe Kinës. Lavrov propozoi rifillimin e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara mbi sistemin e mbrojtjes nga raketat brenda kornizës së Këshillit Nato-Rusi. //rd//