Një komandant i serbëve të Bosnjes, që kërkohej nën akuzat për gjenocid në konfliktet e viteve 90-të në Bosnje-Hercegovinë, mbërriti në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.
Forcat e NATO-s e dorëzuan gjeneralin Zdravko Tolimir në Gjykatën e Hagës, ku ai do të përballet me akuza për rolin e tij në konflikte, përfshirë edhe masakrën e Srebrenicës, ku u vranë 8 mijë burra dhe djem myslimanë.
Gjenerali Tolimir ishte personi i tretë më i kërkuar për krime lufte në ish Jugosllavi, pas Ratko Mlladiçit dhe Radovan Karaxhiçit. Autoritetet në Bosnje-Hercegovinë e arrestuan dje gjeneralin, gjatë një operacioni të përbashkët me Serbinë në kufirin midis dy vendeve, ndërsa gjenerali hyri në republikën serbe të Bosnjes.
Gjenerali Tolimir drejtonte shërbimin sekret dhe sigurinë për forcat serbe të Bosnjës gjatë konfliktit të viteve 1990-të në Ballkan. Ai ishte nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiç.
Tolimir akuzohet se ka planifikuar, ka kryer dhe ka urdhëruar krime. Një ekip mjeksor që e ekzaminoi atë para se të nisej nga Sarajeva për në Hagë tha se ai është në gjendje të keqe shëndetsore.
Ndërkaq, zyrtarët e Bashkimit Evropian e përshëndetën arrestimin e gjeneralit të serbëve të Bosnjes Zdravko Tolimir. Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Havier Solana tha se kjo është hera e parë që forcat e serbëve të Bosnjes morën pjesë në kapjen e një të pandehuri për krime lufte. Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të marrin masa vendimtare për të nxjerrë para drejtësisë gjithë të akuzuarit e tjerë që nuk janë kapur ende, përfshirë komandantin e forcave të Serbëve të Bosnjes, Ratko Mlladiç.
Gjermania e cila mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, e cilësoi kapjen e gjeneralit një provë që Serbia dhe Bosnja janë të gatshme të bashkëpunojnë me gjykatën për krime lufte.
Komisioneri evropian për Zgjeirmin, Oilli Rehn, tha se Serbia mund të rifillojë bisedimet e anëtarësimit gjatë këtij muaji. Ai i bëri këto komente pas takimit në Berlin me kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel dhe Presidentin e Serbisë Boris Tadiç. //iç//