Presidenti Bush tha se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të njejtat vlera, besojnë tek liria dhe se të gjithë duhet të jetojnë në shoqëri të lira.
Presidenti i bëri këto komente në një intervistë për televizionin shqiptar Vizion Plus, para se të nisej për udhëtimin në Evropë, gjatë të cilit do të qëndrojë edhe në Shqipëri.
Presidenti Bush falenderoi qeverinë shqiptare dhe popullin e Shqipërisë për përpjekjet për t’u anëtarësuar në NATO, por theksoi se çdo kandidat i veçantë duhet të plotësojë disa detyrime dhe ai i bëri thirrje Shqipërisë të punojë intensivisht për t’i plotësuar ato.
Presidenti po ashtu tha, se ai beson se plani i të dërguarit të posaçëm të OKB-së Marti Ahtisari, për pavarësi të mbikqyrur, është zgjidhja e duhur për Kosovën. Ai tha se do të punojë për të bindur gjithë vendet e Këshillit të Sigurimit dhe Serbinë për këtë gjë.
Rusia, aleate tradicionale e Serbisë, thotë se pavarësia për Kosovën është shkelje e integritet territorial të një vendi anëtar të OKB-së. Moska këmbëngul për vazhdimin e bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit.//iç//