80 vjetori i fluturimit historik të Charles Lindberg-ut përmes Atlantikut

Këtë javë është 80 vjetori i fluturimit të parë historik të Charles Lindbergut përmes Oqeanit Atlantik.

Më 20 maj të vitit 1927 ai u nis nga Long Island, New York për në Paris. Fluturoi për 33 orë e gjysmë në një avion të vogël me një motor duke marrë me vete ushqim, ujë, harta dhe skica. Lindberg vendosi të mos merrte as parashutë dhe as radio për t'i lënë vend një rezerve më të madhe karburanti.

Fluturimi i vetëm prej 3 mijë e 600 miljesh e bëri Lindbergun një hero ndërkombëtar dhe ndihmoi në nxitjen e aviacionit komercial. Megjithatë pesë vjetë më vonë, Lindberg pësoi një tragjedi kur djali i tij 20 muajsh u rrëmbye e më pas u gjet i vdekur.

Vetë Lindberg vdiq më 26 gusht të vitit 1974 në Hawaii. Për nder të fluturimit të tij, agjencia amerikane e hapësirës Nasa dedikoi një avion të veçantë astronomie për pilotin. Avioni SOFIA është projektuar për të fluturuar në një lartësi prej 15 kilometrash mbi sipërfaqen e tokës, duke e vendosur kështu teleskopin e tij me rreze infra të kuqe, pothuajse mbi të gjitha shtresat e avujve atmosferikë të Tokës. //rd///