Presidenti i ri i Francës Nikola Sarkozi emëroi zotin Fransua Fijon në postin e kryeministrit. Me rastin e marrjes së detyrës, zoti Fijon premtoi se do ta drejtojë vendin në rrugën e përparimit.
Kryeministri i ri është i njohur si reformist. Në vitin 2003, kur ishte ministër i çështjeve sociale, ai arriti të sigurojë miratimin në parlament të një projektligji për reformimin e sistemit të pensioneve.
Sipas njoftimeve të shtypit francez, Presidenti Sarkozi ka në plan të emërojë si ministër të jashtëm socialistin Bernard Kushner, themelues i organizatës humanitare Mjekët pa Kufij dhe ish admnistrator i Kosovës. Pritet që presidenti i ri ta shpallë kabinetin e plotë nesër. Ai ka thënë se gjysma e të 15 ministrave do të jenë gra.
Zoti Sarkozi e bëri betimin si president dje, duke i zënë vendin ish presidentit Zhak Shirak. Ai ka bërë thirrje për unitet midis francezëve.