Kolegji Zgjedhor rrëzoi sot vendimin e pak ditëve më parë të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për ripërsëritjen më 6 maj të zgjedhjeve për kryetarin e Bashkisë së qytetit të Elbasanit. Vendimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ishte kritikuar ashpër nga opozita e majtë, kandidati i së cilës Qazim Sejdini ishte shpallur një herë fitues nga Kolegji Zgjedhor.
Opozita e kishte quajtur atë veprim puçist duke vënë në qendër të akuzave kryetarin e Komisionit Çlirim Gjata, të cilësuar si një aktivist politik të Partisë Demokratike në pushtet. Vetë zoti Gjata e kishte justifikuar vendimin e Komisionit si një çështje interpretimi juridik dhe kushtetues, pasi sipas tij në një qendër votimi nuk ishin zhvilluar zgjedhjet dhe sipas kodit një gjë e tillë kërkonte ripërsëritjen në të gjithë njesinë.
Opozita nisi organizimin e protestave në Elbasan ndërkohë që dje dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme edhe një denoncim ndaj anëtarëve të komisionit që votuan pro vendimit për Elbasanin. //rd//