Statusi i pazgjidhur politik i Kosovës ka kushtëzuar edhe shkallën e rimëkëmbjes ekonomike të Kosovës. Kështu u tha sot në një panair financiar që po mbahet në Prishtinë, i organizuar nga Shoqata e Bankave dhe e Institucioneve mikrofinanciare, me mbështetjen e Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar.
Panairi synon shtimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve financiare, bizneseve, agjencive të dhuruesve, institucioneve qeveritare dhe investitorëve, në funksion të nxitjes së zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Drejtori i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar në Kosovë, Majkëll Farbman, tha se qasja në burimet financiare nga afaristët në Kosovë është identifikuar si një nga kufizimet themelore për rritjen e afarizmit.
“Qeveria amerikane është e përkushtuar që të përparojë ekonominë e Kosovës duke nxitur zhvillimin e sektorit privat. Kjo sipas tij përfshinë përmirësimin e qasjes në financim për ndërmarrjet në Kosovë” ,- tha ai.
Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në qeverinë e Kosovës, Bujar Dugolli, veçoi pengesat e deritashme të natyrës politike, për një rimëkëmbje më të shpejtë ekonomike.
“Ju e dini që ne jemi në përfundim të procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës dhe ky moment I rëndësishëm politikë do të ndikojë pozitivisht edhe te ky sektor ekonomik, sepse çështja e sovranitetit I ka penguar edhe kreditë afatgjata dhe ato me interesa më të mira që ka mundur t’i ketë Kosova falë edhe përkrahjes së komunitetit ndërkombëtarë”, tha ministri Dugolli.
Ndërmarrjet private kanë qasje në kredi, por me kamata ende të larta, gjendje kjo e kushtëzuar nga situata politike tha Mimoza Kusari Lila, shefe e Odës ekonomike amerikane në Kosovë.
“Mungesa e institucioneve ndërkombëtare financiare, mos prania e tyre në Kosovë ka qenë faktori ndoshta kryesor për kamatat e larta të bankave ekzistuese, ndërsa shpresojmë që shumë shpejtë kjo çështje madhore do të përfundohet, andaj Kosova mund të hapet si treg më stabil dhe më I sigurt edhe për institucionet tjera edhe komerciale por edhe ato financiare ndërkombëtare”, tha zonja Kusari Lila.
Kosova e pas luftës ka trashëguar një ekonomi të rrënuar që ka kushtëzuar një shkallë të lartë të papunësisë dhe rrjedhimisht edhe varfërisë. Deri tash, janë privatizuar 250 ndërmarrje shoqërore nga të cilat janë themeluar 430 ndërmarrje të reja. Por, ende vetëm rreth 3 mijë e 500 veta kanë gjetur punë në këto ndërmarrje, ndërsa paratë e mbledhura nga ky proces, ende janë jashtë Kosovës.
Autoritetet thanë, se një pjesë e këtyre parave mund t'u shpërndahen bankave komerciale në Kosovë, të cilat do të mund të ofronin kredi me kushte më të mira për afarizmin. Afrimi i zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës, ka bërë që të fillojnë debatet për periudhën pas këtij statusi, kur zhvillimi ekonomik dhe problemet e rënda sociale do të zhvendosen në vendin e parë.//lk