Shpërthimet lenë 23 të vrarë në Algjer

Zyrtarët algjerianë thonë se të paktën 23 persona janë vrarë dhe rreth 160 janë plagosur nga dy shpërthime bombash sot në Algjer.

Shpërthimi i parë, në qendër të kryeqytetit, pranë zyrave të kryeministrit Abdelaziz Belkhadem, sipas dëshmitarëve, ishte një sulm vetëvrasës me makinë bombë. Shpërthimi tjetër ndodhi pranë një stacioni policor në periferitë lindore të kryeqytetit.

Kryeministri, i cili nuk u dëmtua, i dënoi shpërthimet si akte të ulta kriminale. Ministri i Jashtëm i Francës, Filip Dust Blazi, shprehu indinjatën e tij përmes një deklarate. Ai u ofroi autoriteteve algjeriane solidaritetin e plotë të Francës në luftën e Algjerisë kundër terrorizmit. Rrjeti televiziv arab al-Xhazira, njofton se një person që pretendon të përfaqësojë një grup ekstremist të lidhur me al-Kaidën, mori përgjegjësinë për shpërthimin. //rd//