Presidenti Bush ka premtuar ta realizojë ligjin e ri të imigracionit këtë vit. Propozimi i tij bën thirrje për më shumë siguri kufitare dhe për një rrugë të qartë drejtë marrjes së shtetësisë për miliona imigrantë të paligjshëm që ndodhen tashmë në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Bush rifilloi përpjekjet për reformën e imigracionit me një fjalim në Juma të Arizonës në kufi me kufirin meksikan. Zoti Bush tha se elementi i parë i reformës së imigracionit duhet të jetë sigurimi më i mirë i kufijve: "Ky kufi duhet të jetë i hapur për tregëti dhe imigracion të ligjshëm dhe i mbyllur për kriminelët dhe kontrabandistët e drogës, terroristët dhe trafikantët e qënieve njerëzore, ata që shfrytëzojnë jetët e pafajëshme", tha presidenti.
Zoti Bush premtoi të punojë me republikanët dhe demokratët në Kongres për të miratuar një ligj bashkëkohor këtë vit. Ai tha se përpjekjet në të kaluarën për reformimin e ligjeve të imigracionit nuk i kanë zgjidhur dot arsyet ekonomike që nxisin imigracionin e paligjshëm. "Kur isha guvernator në Teksas shpesh thosha se vlerat e familjes nuk përfundojnë në lumin Rio Grande. Njerëzit vijnë këtu për të siguruar ushqim për familjet e tyre duke bërë punë që amerikanët nuk i bëjnë". Zoti Bush propozoi një program të përkohshëm punësimi që i bën punëdhënësit përgjegjës për njerëzit që punësojnë dhe për shpërndarjen e kartave të identitetit punëtorëve të huaj. "Po punojmë nga afër me republikanët dhe demokratët për të gjetur një kompromis mes dhënies automatike të shtetësisë çdo imigranti të paligjshëm dhe deportimit të çdo imigranti të paligjshëm. Është e pamundur të thuash se ne do t’i gjejmë të 11 apo 12 milion klandestinët dhe do ti kthejmë në vendin e tyre" – tha presidenti.
Shumë republikanë e kundërshtojnë reformën e imigracionit dhe kërkojnë kontrolle të rrepta mbi imigrantët e paligjshëm.
John Fortier - ekspert për politikat amerikane në institutin American Enterprise këtu në Uashtington, thotë se zoti Bush duhet t’u drejtohet demokratëve dhe t’u kërkojë ndihmë për realizimin e reformës. "Ky është një kongres demokrat që në përgjithësi është më mbështetës ndaj planeve të presidentit. Atij i duhet ta miratojë këtë plan me më shumë mbështetje nga demokratët sesa nga republikanët e tij. Ky nuk është qendrimi tipik i presidentit por sidoqoftë votat i kanë në dorë demokratët".
Vitin e kaluar Senati miratoi një projekligj për reformën e imigracionit që u hap imigrantëve të paligjshëm rrugën drejt marrjes së shtetësisë, por projektligji është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve. //rd//