Parlamenti i Kosovës miraton njëzëri paketën Ahtisari për statusin

Parlamenti i Kosovës solemnisht mbështeti sot propozimin e krye negociatorit ndërkombëtarë për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari.

Me 100 vota pro, Parlamenti 120 vendesh u zotua nëpërmjet një deklarate të posaçme për zbatimin e plotë të propozimit nëse ai miratohet nga Këshilli i Sigurimit. Parlamenti po ashtu mirëpret pa rezervë praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake dhe zotohet për bashkëpunim të ngushtë me të.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se propozimi për statusin është një dokument me rëndësi të madhe për të ardhmen e Kosovës. “Që hap rrugën e mëtejme të procedimit edhe më të shpejtë edhe nga ana jonë dhe shpreh gatishmërinë tonë të bashkëpunimit në proceset e ardhshme për finalizimin e këtij procesi të madh që ka të bëjë me lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë”, tha presidenti Sejdiu.

Për kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, propozimi i zotit Ahtisaari siguron baraspeshën mes vullnetit të shumicës për shtet të pavarur dhe nevojës së pakicës për integrim dhe zhvillim. “Në rrafshin global, procesi i pavarësimit të Kosovës është fitore e konsensusit ndaj politikës së koncesioneve, fitore e arsyes së shëndoshë ndaj emocioneve të verbra politike dhe fitore e së drejtës së popujve për liri ndaj pretendimeve arkaike mbi territorin”, theksoi kryeministri Çeku.

Hashim Thaçi tha se e ardhmja do ta kujtojë dhe do të shënojë atë që do të bëhet sot dhe do të kujtojë mënyrën e përballjes me sfidat, ndërsa bëri thirrje për bashkim në këtë periudhë vendimtare për të ardhmen e Kosovës. “Uniteti sot është garanci që themelet e shtetit tonë të lirë dhe të pavarur të jenë stabile dhe të forta. Sot jemi të ftuar, të punojmë bashkërisht jo vetëm për një të ardhme më të mirë në sferën e mirëqenies dhe përparimit, por mbi të gjitha t'i sjellim vendit dhe popullit tonë respekt, dinjitet dhe nder", tha zoti Thaçi.

Veton Surroi tha se dorëzimi i propozimit për të ardhmen e Kosovës në Këshilin e Sigurimit më 26 mars ishte njohja e të drejtës së shtetit të Kosovës për t'u bërë pjesë e bashkësisë së shteteve. “Ajo që ndodhi me 26 mars dhe ajo që ndodhi pardje, në praninë edhe të kryetarit Sejdiu, ishte në fakt një akti me të cilin vullneti i qytetarëve të Kosovës u shndërrua në pozicion të mbrojtur nga perëndimi”, theksoi zoti Surroi.

Parlamenti i Kosovës është bojkotuar nga deputetët serbë që nga marsi i vitit 2004. Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës e kundërshtojnë propozimin e zotit Ahtisaari dhe çdo mundësi për pavarësimin e Kosovës. Kundër këtij propozimi sot janë shprehur edhe veprimtarët e lëvizjes Vetëvendosje, një lëvizje e cila në vazhdimësi ka kundërshtuar bisedimet për statusin e Kosovës. Para dyerve të Parlamentit ata sot vendosën pankartat me të cilat mbledhja e sotme krahasohej me atë të 23 marsit të vitit 1989, kur Parlamenti i atëhershëm miratoi ndryshimet kushtetuese me të cilat ju dha fund autonomisë së Kosovës. Propozimi për statusin e Kosovës tash është në duart e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Nderkohe, Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker tha në një debat në Prishtinë se të gjithë ata që duan ta shohin Kosovën, janë të mirëpritur, por faktet nuk ka nevojë të kërkohen, pasi ato janë në raportet e rregullta të UNMIK-ut. Komentet e tij pasuan njoftimet se gjatë muajit prill një mision fakt mbledhës i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mund të qëndrojë në Kosovë, me kërkesën e Rusisë.

Zyrtarë vendas në Prishtinë thonë ndërkaq se kjo kërkese e rusëve synon zvarritjen e procesit i cili që nga fillimi është udhëhequr nga Kombet e Bashkuara dhe nga të dërguarit e kësaj organizate. //rd//