Piktura e Leonardo Da Vincit, L’Annunciazione, Lajmërimi, po përgatitet për ekspozim në Muzeun Kombëtar të Japonisë, në Tokio.
Piktuara me përmasa 1 x 2 metra mbërriti të mërkurën në Japoni e paketuar në kuti speciale për të kontrolluar lagështirën dhe eliminuar tronditjet. Piktura udhëtoi 12 orë me avion dhe 1 orë e gjysmë me kamion dhe më së fundi arriti, duke çliruar nga shqetësimet edhe zyrtarët e angazhuar në projekt.
Piktura e shekullit të 15 pasqyron momentin kur engjëlli i tregon Shën Mërisë se është shtatzënë me Jezu Krishtin. Kjo kryevepër do të ekspozohet nga 20 marsi deri më 17 qershor në kuadër të aktiviteteve të organizuara për Pranverën Italiane, një seri veprimtarish për të reklamuar kulturën dhe produktet e Italisë.
Salla e ekspozitës ku do të vendoset piktura e famshme nuk do të ketë dritë natyrore nga jashtë dhe piktura do të vendoset në një kuti kristali të projektuar në Gjermani, për ta mbrojtur nga dëmtimet dhe grabitësit.
Vendimi për të dërguar pikturën në Japoni zgjoi protesta të shumta në komunitetin artdashës italian, i cili shqetësohet për sigurinë e kryeveprës. //ze//