Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha sot se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me të cilin shfajësohet shteti serb nga përgjegjësia për gjenocidin në Bosnje, nuk përmbush në tërësi drejtësinë, por bën përgjegjës regjimin e ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare publike.
Në reagimin e Kryeministrit Çeku thuhet se ligjet ndërkombëtare njohin përgjegjësinë shtetërore për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare publike si pasojë e veprimit aktiv, apo mos-veprimit për parandalim.
Në këtë kuadër, Gjykata Ndërkombëtare ka konstatuar se Serbia është fajtore për shkeljen e ligjit, meqë nuk e parandaloi gjenocidin. Megjithatë, thotë kryeministri Çeku, nuk mund të injorohet fakti se Serbia e Millosheviçit, aparati shtetëror, duke përfshirë ushtrinë dhe shërbimet e mekanizmat e tjerë të dhunës së shtetit serb kanë qenë të përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë në përkrahjen, organizimin dhe ekzekutimin e krimeve.
Ai thekson se Kosova ka përvojat e saj shumë të hidhura nga regjimi i egër i Millosheviqit dhe ajo ndjen simpati për viktimat dhe solidarizohet me të afërmit e tyre e me shtetin boshnjak.
Megjithëse vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës nuk kënaq plotësisht drejtësinë, thuhet në reagimin e zotit Çeku, ne përshëndesim vendimin e Gjykatës e cila përcakton përgjegjësinë e regjimit të Millosheviçit për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare publike. Edhe më e rëndësishme se kjo, thuhet aty, është që politikanët dhe shoqëria serbe të reflektojnë dhe të pranojnë përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të shtetit të tyre për gjenocidin në Bosnjë. Kjo është rruga e vetme e pajtimit ndërmjet popujve dhe e përparimit dhe evropianizimit të Ballkanit.//lk