Një raport i ri i një organizate të pavarur studimore thotë se Iraku po rrëshqet me shpjetësi drejt luftës civile dhe u bën thirrje zyrtarëve amerikanë të fillojnë të planifikojnë se si ta përmbajnë këtë konflikt, për të shmangur atë që autorët e quajnë katastrofë në Lindjen e Mesme. Raporti, i shkruar nga specialistë të sigurisë dhe rajonalë, në Insitutin Brookings këtu në Washington, thotë se lufta civile do të çonte në një tragjedi humanitare në Irak dhe se ajo ka potencialin për të destabilizuar edhe vendet fqinje.
Autorët e raportit thonë se strategjia e re e Presidentit Bush për dërgimin e mbi 20 mijë trupave shtesë në Irak, është një përpjekje e fundit për të qetësuar gjendjen dhe për fillimin e procesit të ripajtimit dhe rindërtimit ekonomik.
Kenenth Pollack, bashkëautor i raportit, dhe analist me përvojë për politikat e Lindjes së Mesme në Institutin Brookings, thotë se zyrtarët amerikanë dhe ata irakianë duhet të përgatiten për atë që raporti e quan një rrëshqitje të pakthyeshme drejt luftës civile. “Një luftë civile në Irak do të ishte tragjedi, por të lejosh përhapjen e paqëndrueshmërisë në mbarë rajonin, për shkak të luftës civile në Irak, kjo do të ishte katastrofë”, - thotë analisti.
Raporti është rezultat i një studimi një-vjeçar, që studjon luftrat civile në vende si Afganistani, Libani dhe ish-Jugosllavia, për të parë në se mund të nxirren mësime, për të minimizuar atë që autorët e quajnë mundësinë e përhapjes së një lufte civile në shkallë të gjerë në Irak.
Nëse në Irak do të kishte një keqësim të plotë të gjendjes, raporti vlerëson se do të vdisnin qindra mijëra irakianë, miliona refugjatë do detyroheshin të largoheshin për shkak të luftimeve, do të krijoheshin kushtet për të vepruar terroristët dhe ndikimi amerikan në Lindjen e Mesme do të zbehej në mënyrë drastike.
Dan Byman, bashkëautor i raportit dhe Drejtor i Programit për Sigurinë në Universitetin Georgetown, thotë se Shtetet e Bashkuara kanë përgjegjësi të veçantë, në se krijohet një situatë e tillë. “Pasojat humanitare do të ishin tronditëse dhe ato do të ishin edhe më të dhimbshme, ngaqë këto probleme filluan për shkak të ndërhyrjes ameirkane. Mendoj se duhet thënë publikisht përpara amerikanëve dhe mbarë botës, se për gjendjen e krijuar mbajnë përgjegjësi Shtetet e Bashkuara”, - thotë profesori.
Nëse Iraku përshihet në luftë civile, raporti rekomandon tërheqjen e trupave amerikane nga qendrat e banuara irakiane dhe ripërqëndrimin e përpjekjeve nga parandalimi i konfliktit në përmbajtjen e tij. Autorët e raportit rekomandojnë krijimin e kushteve të sigurta në kufijtë irakianë për mbrotjen e refugjatëve dhe kufizimin e kalimit të terroristëve dhe luftëtarëve të huaj, që përpiqen të hyjnë në vend.
Analisti Kenneth Pollack thotë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’i tërheqin të gjitha trupat nga Iraku. “Në se plani i Presidentit dështon, unë nuk shoh se si mund të qëndrojmë ne në Irak. Por në anën tjetër, në se ne largohemi, kjo mund të bëjë që lufta civile të përhapet përtej kufijve të Irakut, duke destabilizuar të gjithë rajonin dhe duke kërcënuar rezervat e naftës, pra duke shkaktuar një gjendje tepër të ndërlikuar, në shumë drejtime”.
Autorët e raportit thonë se strategjia e tyre kërkon një angazhim në shkallë të gjerë ushtarak të Shteteve të Bashkuara për të cilin ata thonë se bie ndesh me kundërshtimin në rritje të luftës. Dan Byman parashikon se konflikti do të ketë ndikim tek politika e jashtme amerikane edhe në vitet që do të vijnë. Raporti arrin në përfundimin se përpjekjet për parandalimin e një lufte civile në shkallë të gjerë në Irak do të jenë të kushtueshme, të dhimbshme dhe të përgjakshme. Në raport thuhet se mos planifikimi për një skenar të tillë, do ta keqësonte edhe më tej konfliktin. //ad//