Kompania amerikane NASDAK po përpiqet të blejë bursën e Londrës

  • Nga Kollok

Një ofertë shumë miliardë dollarëshe për të blerë bursën e Londrës – më të vjetrën e botës, po shkon drejt finalizimit. Rrjeti amerikan i tregtimit të aksioneve i njohur me emrin NASDAK, zotëron 30 përqind të bursës prestigjoze të Londrës dhe po përpiqet tani të marrë kontrollin e plotë të saj.

Bursa e Londrës kërkon që NASDAK-u ta rrisë ofertën për blerjen e saj, e cila kap mbi 5 miliardë dollarë. Të dyja kompanitë i kanë vazhduar shkëmbimet e fjalëve derin në minutën e fundit por NASDAK-u thotë se oferta e tij nuk do të ndryshojë. Tani fjalën e fundit mbetet ta thonë aksionerët e bursës së Londrës. Norma Cohen është reportere e gazetës "Financial Times" të Londrës:

"Disa mendojnë se Londra bllofon kur thotë se bursa e saj vlen më shumë se sa është ofruar. Po kështu disa mendojnë se NASDAK-u nuk do të paguajë asnjë qindarkë më shumë. Puna tani ka mbetur se kush do të lëshojë pe i pari. Dhe ka mundësi që asnjëra palë të mos lëshojë."- thotë ajo.

NASDAK-u zotëron rreth 30 përqind të aksioneve në bursën e Londrës dhe në tregjet financiare londineze po shprehen shumë hamendje, se si do të veprojnë aksionistët e tjerë.

Në bazë të ligjit britanik, aksionistëve të Londrës u mbetet deri më 10 shkurt për të vendosur nëse do ta shesin apo jo bursën. NASDAK-u është një treg aksionet ku shitje-blerjet bëhen në mënyrë elektronike. Pra, aksionet shiten e blihen me kompjuter dhe jo në sallë siç ndodh me Bursën e Nju Jorkut.

NASDAK-u ka një histori vetëm 35-vjeçare, por në të shiten e blihen më tepër aksione se në çdo treg tjetër të Amerikës. Bursa e Londrës, e themeluar më 1801, njihet si më e vjetra dhe më prestigjozja e botës.

NASDAK-u thotë se oferta e tij është ekonomikisht e leverdisëshme, por çështja është te krenaria britanike. Ja ç’thotë Maiz Habbal menaxher në kompaninë e Bostonit Celent që merret me studime financiare:

"Për Bursën e Londrës kjo do të thotë se një tjetër ikonë britanike do të asimilohet nga pushtuesit e përtej oqeanit. Në këtë çështje ka shumë sedër dhe herët a vonë ata do ta kuptojnë: ose do të dalin vetë me një zgjidhje për t’u dhënë më shumë fitime aksionerëve të tyre ose do të pranojnë ofertën e NASDAK-ut."

Nëse marrëveshja mes NASDAK-ut dhe Londrës realizohet, të dyja bursat do të tregtojnë aksione të mbi 6 mijë kompanive që së bashku kanë një vlerë prej 12 trilion dollarësh.

Gjatë rreth një viti manovrimesh nga të dyja palët, NASDAK-u ka thënë se synon të krijojë një bursë ndëratlantike që të tregtojë në zona të ndryshme kohore. Kjo, sipas NASDAK-ut, do të tërhiqte një biznes më të madh sepse regjistrimi i një kompanie në bursën e Londrës është më i lehtë se sa në NASDAK.

Menaxherët e Bursës së Londrës thonë se janë në gjendje të rezistojnë ose të gjejnë një ofertë më të mirë. Por nëse aksionerët nuk e pranojnë ofertën a do të jetë bursa e Londrës financiarisht efikase?

"Mendoj se ata nuk do të kenë problem për dy-tre vjetët e ardhshëm por presioni i tregut do t’ua bëjë shumë të vështirë të vazhdojnë kështu pa u lidhur me dikë tjetër," thotë Maiz Habal.

Drejtuesit e Bursës së Londrës ankohen se NASDAK-u nuk ka kërkuar bisedime konstruktive. Ndërsa NASDAK-u thotë se është përpjekur më kot ta angazhojë palën tjetër, kështu që u mbetet aksionerëve të vendosin. Dhe me sa duket, do të jenë aksionerët ata që do të marrin së shpejti vendimin përfundimtar.//lk