Të djelën mbrëma në qytetin e Gjilanit në Kosovën Lindore ndodhi një shpërthim, por pa pasoja në njerëz, bënë të ditur zyrtarë të Shërbimit Policor të Kosovës.
Shpërthimi dëmtoi një ndërtesë dhe theu xhamat e disa dyqaneve përreth.
Jo zyrtarisht, mësohet se shpërthimi ndodhi në afërsi të selisë së degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë qytet, ndërtesa e së cilës ishte shndërruar në çështje debatesh ndërmjet krahëve të kësaj partie, e cila u nda pas mosmarrëveshjeve ndërmjet mbështetësve të presidentit aktual të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe atyre të ish-kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci. Ky i fundit ka themeluar një parti të re me emrin Lidhja Demokratike.
Policia nuk ka dhënë hollësi rreth shpërthimit dhe thotë se nuk ka njohuri rreth autorëve apo motiveve të tij. Vitin e kaluar, dy shpërthime në këtë qytet, dëmtuan makinat e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Autoritetet ndërkombëtare dhe vendase, ditëve të fundit, kanë bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe qëndrueshmërisë në Kosovë, në periudhën kur pritet propozimi të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. //az//