Izraeli do t’u transferojë palestinezëve 100 milion dollarë

Qeveria izraelite vendosi t’i transferojë Autoritetit Palestinez 100 milion dollarë në të ardhura nga taksat.

Kabineti izraelit votoi të djelën për të transferuar fondet, të cilësuara si “ndihmë humanitare”, në duart e Autoritetit Palestinez të kryesuar nga presidenti palestinez, Mahmud Abaz.

Kjo masë ka për synim t’i kalojë Autoritetit Palestinez të ardhurat që ka mbledhur Izraeli nga taksat dhe doganat, duke anashkaluar qeverinë palestineze të udhëhequr nga lëvizja ekstremiste Hamas.

Vendimi për kalimin e fondeve u mor në parim mbrëmë në takimin e parë zyrtar që zhvilluan zoti Abaz dhe kryeministri izraelit Ehud Olmert që kur zoti Olmert formoi qeverinë e re izraelite në maj.

Njoftimet nga Izraeli bëjnë të ditur se kryeministri Olmert i tha kabinetit sot se po shqyrton mundësinë e lirimit të disa të burgosurve palestinezë në ditët e ardhshme.

Deri tani Izraeli ka thënë se do të lironte të burgosurit palestinezë pasi ekstremistët palestinezë të lirojnë një ushtar izraelit të rrëmbyer në qershor.