Deri ku duhen shtrirë kufijtë e Bashkimit Evropian

  • Lisa Brajant
    Paris

Bashkimi Evropian hapi një takim dyditor të nivelit të lartë, që pritet të përqendrohet tek forcimi i rregullave për zgjerimin e Bashkimit Evropian, por pa i mbyllur dyert për kandidatët e rinj. Para fillimit të takimit në Bruksel, kancelarja gjermane Angela Merkel theksoi rëndësinë e vëzhgimit nga afër të plotësimit të kushteve për anëtarësim nga vendet aspirante. Rumania dhe Bullgaria pritet të anëtarësohet zyrtarisht në Bashkimin Evropian më 1 janar. Kandidatëve të tjerë, përfshirë Kroacinë, Maqedoninë dhe Turqinë do t’u duhet të presin më gjatë. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian pritet të miratojnë vendimin e ministrave të jashtëm të organizatës për të pezulluar përkohësisht negociatat për anëtarësim me Turqinë, pasi ky vend nuk normalizoi marrëdhëniet tregëtare me Qipron.

Në Evropë gjithnjë e më shpesh po shtrohet pyetja sesa i madh duhet të jetë Bashkimi Evropian dhe deri ku duhet të shtrihen kufijtë e tij. Numri i vendeve të organizatës pritet të arrijë në 27 me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë në janar.

Bisedimet për anëtarësimin e Turqisë u pezulluan përkohësisht, pasi Ankaraja refuzoi t’i hapte portet dhe aeroportet për Qipron, që është anëtare e BE-së. Pavarësisht nga këto shqetësime, Xheki Dejvis e Qendrës për Politikën Evropiane, një organizatë me qendër në Bruksel, thotë se udhëheqësit evropianë që po takohen në Bruksel nuk do ta ndalin zgjerimin.

“Ata thjesht po paraqesin kushtet, të cilat duhet të ndiqen për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Kjo ka të bëjë si me standardet që duhet të plotësojnë vendet që duan të anëtarësohen dhe pa dyshim që BE-ja po vendos rregulla më të rrepta në këtë drejtim, ashtu edhe me masat që duhet të marrë Brukseli për të vendosur rregull brenda territorit të organizatës që të mund të funksionojë ndërsa zgjerohet gjithnjë e më shumë”, - tha ajo.

Kjo do të thotë reformim i institucioneve të Bashkimit Evropian dhe marrja e një vendimi për të ardhmen e kushtetutës së tij, që u hodh poshtë vitin e kaluar nga votuesit francezë dhe holandezë në referendume. Këto do të jetë dy nga çështjet kryesore në programin e kancelares gjermane Angela Merkel, vendi i së cilës merr presidecën e organizatës në janar.

Nuk dihet ende sesa përparim do të shënojë Gjermania, veçanërisht në një kohë kur priten ndryshime në udhëheqjen evropiane. Franca pritet të mbajë zgjedhje presidenciale në prill, ndërsa kryeministri Tony Blair pritet të japë dorëheqjen muajt e ardhshëm.//lk