Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka shprehur shqetësimin e saj për dështime në gjykatat vendase në Kosovë, për të siguruar gjykim të drejtë dhe në pajtim me ligjet dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në një raport të kësaj organizate, i teti me radhë, shprehet shqetësimi për siç thuhet "dështimin në mbrojtjen e përshtatshme të dëshmitarëve dhe frikësimin e tyre". Po ashtu, në raport thuhet se vendimet që lëshohen në gjykatat për kundërvajtje janë të një cilësie të dobët dhe rastet shpeshherë janë jo mirë të gjykuara, ndërsa nënvizohet edhe "dështimi i gjykatave që në mënyrë të duhur të merren me të miturit, të cilët akuzohen për vepra penale, duke përfshirë këtu edhe paraburgimin e paligjshëm në periudha tepër të gjata".
Raporti nxit autoritetet që të merren me mangësitë në ligje dhe të sigurojnë që dëshmitari të mbrohet përpara, gjatë, dhe pas gjykimit. Gjykatat për kundërvajtje dhe trajtimi i procedurave penale në gjykata me të miturit rekomandohen që të jenë në pajtueshmëri me rregullat procedurale. Megjithatë, zyrtarët e kësaj organizate, e cila merret edhe me vëzhgimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, tha se "gjykatat në Kosovë përballen me sfida të cilat nuk janë të patejkalueshme".//lk