Qarqet akademike, diplomatike dhe ato mediatike po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke, duke shmangur keqkuptimet e vjetra dhe të reja që ndikojnë në raportet mes Tiranës dhe Athinës. Analistë dhe politikanë të mbledhur në një konferencë të Institutit të Dialogut dhe Komunikimit, pohuan se kjo i shërben të ardhmes së dy vendeve fqinje.
Ambasadori i Greqisë në Tiranë, Kostandinos Kokosis, deklaroi në këtë takim se gjatë viteve të fundit marrëdhëniet shqiptaro-greke kanë patur ulje e ngritje dhe mirëkuptimi mes Tiranës dhe Athinës ëshët vënë në provë. "Këto vite ka patur koncepte të paraqitura keq, të perceptuara keq; dhe kjo është e kuptueshme nëse përmendet edhe fakti tjetër që të dy popujt janë jashtëzakonisht sentimentalë, të ndjeshëm, jashtëzakonisht mesdhetarë, gjë që shton përbërësit shpërthyes" - tha ambasadori Kokosis.
Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Besnik Mustafaj, kërkoi po ashtu një vëmendje më të madhe të politikës, diplomacisë dhe shtypit në përcjelljen e perceptimeve të drejta të Shqipërisë dhe Greqisë. "Gjithë përpjekjet duhet të përqëndrohen për të ardhur tek e vërteta. Pranimi i njëri-tjetrit do të thotë të njohësh dhe të pranosh të mirat dhe të këqijat që ekzistojnë dhe mbi këtë bazë ndërtohet bashkëpunimi" - tha zoti Mustafaj.
Ndërsa ambasadori grek, Kokosis, tha se brezat e rinj duhet të shohin nga e ardhmja. "Ne duhet të punojmë për të ardhmen; të gjithë duhet t'i drejtohemi asaj. Përfaqësuesit e shtypit dhe akademikët do t'i futin gjërat në drejtimin e duhur, sepse ata janë njerëzit që do të mësojnë brezat e rinj me koncepte të reja. Një kapitull i ri vjen në marrëdhëniet shqiptaro- greke, atëherë kur njerëzit e thjeshtë të këtyre dy popujve do të shkojnë gjithnjë e më mirë me njëri-tjetrin" - tha ambasadori Kokosis.
Ministri i jashtëm, Mustafaj, thotë se Shqipëria dhe Greqia duhet të forcojnë marrëdhëniet në rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike.
"Ne dhe grekët kemi hyrë tashmë në një rrugë të përbashkët; që është rruga europiane dhe euro-atlantike."
Konferenca për marrëdhëniet shqiptaro-greke përfshiu në diskutime disa nga historianët, diplomatët, politikanët, dhe gazetarët më të njohur të të dy vendeve fqinje. //ze//