Ekipi i negociuesve të Kosovës është shprehur i shqetësuar me vendimin për shtyrjen e procesit të zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës, por u shpreh i bindur se shtyrja nuk do të dëmtojë përmbajtjen e statusit, që sipas tij, do të jetë pavarësia.
Ekipi u mblodh sot pas njoftimit për këtë shtyrje për të debatuar gjendjen e re të krijuar dhe takimit të tij iu bashkua edhe shefja e zyrës amerikane në Prishtinë Tina Kaidanov. Në një deklaratë të përbashkët të ekipit të cilën e paraqiti presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu është shprehur keqardhja për vendimin e sotëm të krye negociatorit Martti Ahtisaari.
“Në veçanti jemi të shqetësuar që kjo shtyrje ndërlidhet me kalendarin e zgjedhjeve të paralajmëruara parlamentare në Serbi. Ekipi i unitetit të Kosovës, vazhdon të besojë se zgjidhja e shpejtë e statusit është në interesit të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të rajonit dhe të bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai.
Ekipi shprehu bindjen se procesi i udhëhequr nga zoti Ahtisaari dhe Grupi i Kontaktit do të çojë drejt pavarësisë së Kosovës, ndërsa shprehu përcaktimin që në bashkërendim më Grupin e Kontaktit UNMIK-un dhe në veçanti me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian kohën e mbetur, deri në marrjen e vendimit për statusin e Kosovës ta shfrytëzojnë për siç u tha, përgatitjen e periudhës kalimtare pas statusit.
Shtyrja e zgjidhjes së statusit është përmendur një kohë të gjatë, por deri tash Prishtina ka ngulur këmbë se kjo nuk duhet të ndodhë, meqë ajo do të mund të nxiste pakënaqësi.
Anëtarët e ekipit të negociuesve shprehën bindjen se shtyrja nuk do të ndryshojë asgjë në përmbajtjen e statusit që sipas tyre do të jetë pavarësia, ndërsa bënë thirrje për qetësi dhe mbështetje të procesit nga qytetarët e Kosovës.
“Ne jemi në një proces të thellë të bashkëpunimit me të gjitha strukturat brenda në Kosovë, me strukturat ndërkombëtare dhe mendojmë se qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për këtë nevojë të mbajtjes së kësaj qetësie normale dhe mjaft efiçente për të kontribuar në zhvillimin e proceseve të përgjithshme demokratike në Kosovë, për të ndihmuar dhe dëshmuar qenien reale të shtetit demokratik të Kosovës edhe mbi këtë bazë dhe natyrisht të jetë përmbledhje e kontributit deri në përfundim të procesit”, tha presidenti Sejdiu.
Anëtarët e ekipit të negociuesve thanë se nuk do të ketë ndonjë veprim të njëanshëm nga Prishtina në përgjigje të gjendjes së krijuar, duke nënvizuar se Kosova siç u tha, është çliruar në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe bashkë me të edhe do të pavarësohet. Prishtina, u tha pas takimit, nuk kërkon pavarësi të izoluar por të integruar.
Por, qeveria e Kosovës, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë besimin ne procesin, siç thuhet, të pakthyeshëm të pavarësimit të Kosovës, ka tërhequr vërejtjen se në rast të shtyrjeve të pacaktuara do të mbështesë çdo nismë parlamentare për jetësimin e vullnetit të popullit të Kosovës.
Të kënaqur me vendimin për shtyrjen janë shprehur ndërkaq përfaqësuesit e serbëve të Kosovës për të cilët jo shtyrje ishte e domosdoshme por edhe dëshmi se zgjidhja e statusit në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi do të ishte e rrezikshme.
Zyrtarët ndërkombëtarë mbështesin Marti Ahtisaarin dhe zgjidhjen e shpejtë të statusit Autoritetet ndërkombëtare në Kosovë mbështetën sot vendimin e krye negociatorit për statusin e Kosovës Martti Ahtisaarri për shtyrjen e këtij statusi, ndërsa bënë thirrje për qetësi në Kosovë.
Përmes një deklarate për opinion, zyra amerikane në Prishtinë, përkrah vendimin e zotit Ahtisaari dhe shprehë përcaktimin për përmbylljen e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës. Në deklaratë thuhet se “ka ardhur koha që të gjendet përgjigja në çështjen e statusit të Kosovës, populli i së cilës ka të drejtë ta ketë të qartë ardhmërinë e tij. Ne tani e shohim se procesi i statusit është duke hyrë në fazën përfundimtare.
Pas shumë muajve të negociatave intensive në mes të palëve dhe udhëtimeve në rajon nga ana e të dërguarit të posaçëm Martti Ahtisaari dhe ekipit të tij, ne jemi të bindur se propozimet e tij do të përfshijnë aranzhimet e përshtatshme për mbrojtjen e të drejtave të popullit të Kosovës dhe do të vendosin themeli për zgjidhjen e qëndrueshme të statusit”, thuhet pos tjerash në deklaratën e Zyrës amerikane në Prishtinë.
Ndërkaq shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Joakim Rücker ka theksuar se ka shumë arsye të padiskutueshme për të sqaruar statusin e Kosovës sa më parë që është e mundur. Ai është zotuar se do të punojë ngushtë me Grupin e Kontaktit, krye negociatorin Ahtisaari dhe të gjitha palët për të përgatitur Kosovën për statusin e saj përfundimtar.
Në pritje të propozimit të zotit Ahtisaari ka thënë ai, UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës do të vazhdojnë punën e tyre për të ruajtur në radhë të parë një mjedis të sigurt dhe për të zbatuar standardet. Ai ka bërë thirrje që udhëheqësit politikë të Kosovës të flasin me një zë, ndërsa ka shprehur bindjen se do të shmanget çdo veprim I njëanshëm që do të dëmtonte mbështetjen për Kosovën në këto kohë thelbësore për të.