Donald Ramsfeld jep dorëheqjen, Robert Geits emërohet Sekretar i ri i Mbrojtjes

Presidenti Bush shkarkoi Sekretarin e Mbrojtjes, Donald Ramsfeld një ditë pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet për në Kongres, ndërkohë që anketat tregojnë se shkas për humbjen ishte pakënaqësia me luftën në Irak. Njoftimin për dorëheqjen e zotit Rumsfeld Presidenti e bëri gjatë një konference shtypi sot.

“Pas një sërë bisedash, Sekretari Ramsfeld dhe unë ramë dakort se ka ardhur koha për të patur një drejtues të ri në Pentagon.”

Presidenti Bush tha se Sekretari Ramsfeld ishte një udhëheqës i përkryer, gjatë një kohe ndryshimesh të mëdha. Presidenti shtoi se largimi i zotit Ramsfeld është pjesë normale e një demokracie në funksionim dhe ai i paralajmëroi armiqtë e Amerikës të mos e keqinterpretojnë këtë si dobësi.

Presidenti po ashtu njoftoi se ai ka emëruar ish drejtorin e CIA-s, Robert Geits për të zëvendësuar zotin Ramsfeld. Kandidatura e zotit Geits duhet të konfirmohet nga Senati, i cili mund të kontrollohet nga demokratët.

Shumë demokratë dhe disa republikanë kishin kërkuar dorëheqjen e zotit Ramsfeld. Ata e fajësojnë atë për planifikimin e dobët, që sipas tyre çoi në dhunën e tanishme që po vazhdon tani në Irak.

Zoti Ramsfeld ka qënë një prej sekretarëve të mbrojtjes me kohë zgjatjen më të madhe të madhe në këtë post.