Z. Ahtisari diskuton me Grupin e Kontaktit propozimin e tij për Kosovën

Kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, filloi sot një seri këshillimesh me Grupin e Kontaktit për propozimin e tij për zgjidhjen e këtij statusi. Ai u takua në Vjenë të Austrisë me zyrtarë të vendeve të Grupit të Kontaktit për të debatuar me ta, siç thuhet, elementet paraprake të propozimit të tij për statusin.

Pas takimit nuk janë dhënë hollësi rreth debatave, por shërbimi për informim i zyrës së zotit Ahtisari, bëri të ditur se ai po punon në bazë të autorizimeve që i ka dhënë atij Grupi i Kontaktit për përgatitjen e një propozimi gjithpërfshirës për statusin, i cili pasi të ketë marrë formë, do t’u jepet Prishtinës dhe Beogradit për të shqyrtuar idetë e tyre për cështje të caktuara dhe mundsitë e arritjes së ndonjë kompromisi në disa çështje.

Pas kësaj, propozimi pritet t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Mirëpo, deri atëherë propozimi do të vazhdojë të diskutohet me Grupin e Kontaktit i cili ka përcaktuar fundin e vitit 2006 si periudhë të përcaktimit të statusit të Kosovës.

Afrimi i fundit të këtij afati, ka shtuar zërat për mundësinë e zgjatjes së këtij afati për shkak të zhvillimeve në Serbi. Autoritetet e Beogradit kanë caktuar për 28 dhe 29 tetor një referendum për kushtetutën e Serbisë pas të cilit pritet të shpallen edhe zgjedhjet e reja parlamentare në Serbi. Zyrtarë të Beogradit kanë kërkuar shtyrjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës për t’u lënë hapësirë, sic thuhet, forcave pro perëndimore të cilat do të mund të pësonin për shkak të statusit të Kosovës.

Por vetë zoti Ahtisari ka theksuar se do të vazhdojë t’u përmbahet afateve të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit megjithëse kontrata e tij me Kombet e Bashkuara që skadon në nëntor është zgjatur deri në qershor të vitit të ardhshëm.

Prishtina ndërkaq ka bërë thirrje që procesi të përmbyllet brenda këtij viti, sepse shtyrja e tij, siç thuhet, do të nxiste pakënaqësi dhe do të dëmtonte proceset demokratike e integruese.