Udhëheqësit e 26 vendeve të NATO-s do të kenë një program të ngjeshur në takimin e nivelit të lartë muajin e ardhshëm në Riga të Letonisë. Takimi pritet të përqendrohet tek riorganizimi ushtarak dhe politik i aleancës, por ekspertët thonë se Kosova do të jetë një nga çështjet kryesore.
Sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice thotë se takimi i Rigës do të përqendrohet tek transformimi i vazhdueshëm i NATO-s. Në këtë proces bën pjesë edhe një zhvendosje nga përqendrimi tradicional tek Evropa drejt krijimit të partneriteteve ushtarake në gjithë botën. “Ka një konsensus për zgjerimin e rolit të NATO-s në gjithë botën”, thotë Adam Kobieracki, ndihmës sekretar i përgjithshëm për operacionet në NATO.
Hans Binnendijk i Universitetit për Mbrojtjen Kombëtare parashikon që Kosova do të jetë një nga çështjet kryesore në takimin e NATO-s. “Në Rigë duhet të pranohet se gjendja në Kosovë po ndryshon, se mund të vështirësohet, që KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pranishëm edhe për një kohë të gjatë”. 17 mijë forca të KFOR-it po përpiqen të ruajnë një klimë stabiliteti dhe sigurie në Kosovë. Bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara kanë filluar mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje për statusin. Nëse bisedimet dështojnë, zgjidhja do të imponohet. Nëse kjo ndodh, thotë zoti Binnendijk, roli i KFOR-it do të ndryshonte. “Çështja kryesore do të jetë se çdo të bëhet me zonën në veri të lumit Ibër. KFOR-i do të ketë një rol të ri në këtë drejtim. Roli i KFOR-it në atë zonë të veriut të Kosovës do të jetë ndryshe nga më parë. Nëse marrëveshja do të imponohet, do të duhet që forcat e KFOR-i të luajnë rol për ta zbatuar atë”.
Zoti Binnendijk thotë se takimi i Rigës nuk ka si synim zgjerimin. “E shumta që mund të shohim në Riga do të ishte një deklaratë për t’i hapur dyert për Maqedoninë, Kroacinë dhe Shqipërinë”. Kjo do të thoshte që NATO-ja do të pranonte tre vendet e Kartës së Adriatikut si anëtare, pasi të plotësojnë reformat e nevojshme. Deklarata nuk do të thotë një ftesë në momentin e tanishëm.
Në vitin 2004, NATO-ja pranoi si anëtare në vitin 2004 shtatë vende ish-komuniste. Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për një takim të nivelit të lartë për zgjerim në fillim të vitit 2008 për t’u hapur rrugën anëtarëve të rinj. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për zgjerimin e NATO-s dhe i mbështesin me forcë aspiratat e vendeve në rajonin Euro-Atlantik që janë të gatshme për anëtarësim.//rd//