Zyrtarët pohojnë respektimin e afatit të caktuar nga Grupi i Kontaktit për procesin e statusit të Kosovës

Mungesa e përparimit të qënësishëm në negociatat mes Prishtinës dhe Beogradit dhe zhvillimet politike në Serbi kanë bërë që kohët e fundit zëra të ndryshëm të kërkojnë shtyrjen e afatit për përcaktimin e statusit. Por Drejtori i Zyrës së Departamentit të Shtetit për Evropën Qendrore dhe Jugore, Christopher Hoh dhe analisti Janush Bugajski theksojnë se respektimi i afatit të caktuar nga Grupi i Kontaktit do t’i shërbejë si Kosovës, ashtu edhe mbarë rajonit.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit Christopher Hoh, e sheh zgjidhjen e statusit të Kosovës si një nevojë jetike për mbarëvajtjen e gjithë rajonit dhe realizimin e ambicjeve për antarësim në Bashkimin Evropian: "Të flasim hapur – zhvillimet politike në Serbi janë shtrembëruar si rrjedhojë e statusit të papërcaktuar të Kosovës. Po ashtu për Maqedoninë dhe Malin e Zi, ky është një faktor që ka ndikim edhe në territorin e tyre, prandaj një lloj zgjidhjeje për statusin e Kosovës, që siç ka thënë Grupi i Kontaktit duhet të arrihet brenda këtij viti, mendoj se do të ketë një ndikim pozitiv për të gjitha vendet në rajon. Zgjidhja e statusit do t’u japë mundësi këtyre vendeve të mbyllin kapitullin e viteve ’90, ta lënë pas këtë kapitull të vështirë dhe të përqëndrohen në të ardhmen. Kjo do t’i rriste shumë shanset e tyre për antarësim në Bashkimin Evropian".

Deri tani negociatat që vazhdojnë me ndërmjetësimin e zotit Ahtisaari nuk kanë sjellë ndonjë përparim të dukshëm. Analisti Janush Bugajski thotë se Beogradi është në përpjekje të ethshme për ta shtyrë afatin e përcaktimit të statusit: "Është folur shumë për këtë. Është e qartë se qeveria serbe po përpiqet ta zvarrisë procesin fillimisht përmes kushtetutës së saj, dhe tani po flasin për zgjedhjet dhe ndoshta pas disa javësh mund të ngrenë një tjetër argument. Ka zëra në Bashkimin Evropian, një prej të cilëve është Havier Solana, të cilët thonë se ndoshta procesi duhet shtyrë. Por mendoj se shtysa që ka marrë procesi nga Shtetet e Bashkuara, Grupi i Kontaktit dhe zoti Ahtisaari, do të rezultojë në një vendim brenda këtij viti."

Analisti Bugajski parashikon se rezultati përfundimtar i negociatave do të jetë një formë pavarësie e mbikqyrur: "Me fjalë të tjera do të parashtrohet një afat kohor që do t’i njohë Kosovës të drejtën për të shpallur pavarësinë e saj. Megjithatë disa sektorë të ekonomisë si dhe siguria dhe forcat e rendit do të vazhdojnë të mbikqyren nga agjenci ndërkombëtare për një periudhë kohe. Por gradualisht synimi do të jetë që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësinë për këto funksione".

Departamenti i Shtetit thotë se mbështet procesin e negociatave për statusin e Kosovës dhe përpjekjet e të dërguarit të posaçm të OKB-së, Marti Ahtisari. Sipas zyrtarëve amerikanë statusi i Kosovës duhet të zgjidhet me negociata deri në fund të këtij viti dhe zgjidhja të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës. //rd//