Qeveria e Kosovës miraton një plan emergjent për plotësimin e standarteve

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot një plan të veprimeve emergjente për plotësimin e tërësishëm të standardeve parësore të përcaktuara nga grupi i Kontaktit për t’u përmbushur para përfundimit të procesit të zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës.

Në fillim të muajit qershor të këtij viti, Grupi i Kontaktit përcaktoi 13 detyra për institucionet e Kosovës që kanë të bëjnë kryesisht me pozitën e pakicave kombëtare në Kosovë. Zyrtarët më të lartë të Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe qeverisë së Kosovës thanë sot se është arritur shumë përparim në zbatimin e këtyre detyrave.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku përmbushja e standardeve është në funksion të drejtpërdrejtë të zgjidhjes së shpejt dhe të drejtë të statusit të Kosovës. “Standardet janë një instrument matës se sa është Kosova e gatshme të funksionojë si shtet i pavarur”, theksoi kryeministri Çeku.

Ndërkaq, shefi i UNMIK-ut Joakim Ruecker tha se përmbushja e detyrave është e rëndësishme edhe për raportimin e ri në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili përfshin periudhën prej 1 gushtit deri më 31 tetor.

Grupi i Kontaktit pati kritikuar institucionet e Kosovës për zvarritje në miratimin e ligjeve për përdorimin e gjuhëve të pakicave dhe atij për trashëgiminë kulturore në Kosovë, ligje këto që u miratuan gjatë këtij muaji.//lk