Asambleja parlamentare e NATO-s angazhohet që statusi politikë i Kosovës të zgjidhet deri në fund të këtij viti. Anëtarët e kësaj Asambleje i bënë këto komente sot pas takimeve me udhëheqësit më të lartë në Prishtinë, ku po qëndrojnë në një vizitë faktmbledhëse.
Kryesuesi i delegacionit, Karl Lamers, tha se populli i Kosovës ka pritur shumë gjatë për një zgjidhje positive.
“Ne të gjithë pajtohemi që kjo zgjidhje nuk duhet të vonohet. Të gjithë mendojmë që statusi aktual në Kosovë nuk është i qëndrueshëm, prandaj ne duhet të bëjmë çdo gjë që është e mundur që të vijmë deri të një zgjidhje pozitive. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s e mbështesin punën e Marti Ahtisarit dhe shpresojnë që të ketë sukses. Nëse të gjithë bashkëpunojnë dhe angazhohen që të arrihet një marrëveshje, atëherë kjo mund të ndodhë deri në fund të këtij viti. Ky është qëllimi ynë dhe mendoj se këtë edhe do ta arrijmë”, tha zoti Lamers.
Ai theksoi se vizita e delegacionit të NATO-s, dëshmon përkushtimin dhe interesimin e NATO-s për zhvillimet në Kosovë në prag të zgjidhjes së statusit të saj politik. Autoritetet e NATO-s kanë bërë thirrje për ruajtjen e paqes dhe sigurisë dhe angazhim të të gjithëve kundër çdo forme të dhunës.
Dënohet shperthimi në Gjilan
Autoritetet në Prishtinë dënuan ashpër sot një shpërthim që ka ndodhur mbrëmë në Gjilan, duke shkaktuar dëme materiale por pa pasoja në njerëz. Sipas policisë, shpërthimi ka ndodhur në afërsi të shtëpisë së Naim Behlulit, këshilltar i Zëvendëskryeministrit të Kosovës, Lutfi Haziri.
Shpërthimi i mbrëmshëm është i treti me radhë në këtë qytet gjatë një muaji dhe i dyti i drejtuar kundër këshilltarëve të Zëvendëskryeministrit Haziri, i cili drejton negociatat me Beogradin për decentralizimin e pushtetit në Kosovë.
Shpërthimi u dënua fuqishëm nga Qeveria e Kosovës, e cila e ka cilësuar këtë akt si një “vepër kriminale, qyqare dhe barbare. Veprime të tilla shkojnë haptas kundër interesave të Kosovës. Ato tentojnë të krijojnë mjedis frike, pasigurie si dhe krijimin e një imazhi të dhunshëm dhe negativ për vendin”, thuhet në reagimin e qeverisë.
Edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, vlerëson se aktet e tilla rrezikojnë seriozisht jetën e qytetarëve të Kosovës dhe pronën e tyre.//lk