Presidenti Bush është zotuar të vazhdojë presionin ndaj anëtarëve të grupit terrorist të al-Qaidës, me qëllim që ata të dalin para drejtësisë. Presidenti Bush mbajti fjalimin e fundit para 5 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe zgjedhjeve të rëndësishme të nëntorit për në Kongres.
Duke folur sot në Atlanta të Xhorxhias, në fjalimin e tij të tretë mbi terrorizin në tre ditë, zoti Bush paraqiti përparimin e bërë në hapat e marra për të mbrojtur vendin. Ai i bëri thirrje Kongresit të autorizojë administratën e tij të monitorojë thirrjet ndërkombëtare dhe postën elektronike pa urdhër të gjykatës.
Një gjykatë federale vendosi muajin e kaluar se një praktikë e tillë është antikushtetuese. Demokratët u përpoqën t’i kundërvihen fjalimit të presidentit Bush, duke propozuar një legjislacion të ri që thonë se do të përmirësojë sigurimin e Shteteve të Bashkuara duke ndryshuar strategjinë në Irak, duke krijuar mjete më të mira për të sjellë terroristët para drejtësisë dhe duke zbatuar rekomandimet e propozuara nga komisioni hetues i sulmeve të 11 shtatorit për forcimin e sigurisë kombëtare.
Demokratët e akuzojnë zotin Bush se thekson përpjekjet anti-terrorizmit për të tërhequr vemendjen larg luftës së padëshiruar në Irak. Ata shpresojnë se çështja e Irakut do ti ndihmojë ata të marrin kontrollin e një ose të dyja dhomave të kongresin në zgjedhjet e nëntorit.