Trupat libaneze dislokohen në jug të vendit pas tërheqjes izraelite

Trupat libaneze po dislokohen në jug të Libanit, pas tërheqjes së trupave izraelite nga kjo zonë.

Zyrtarë të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara konfirmuan se trupat izraelite u tërhoqën dje nga disa rajone, përfshirë qytetin Bint Jbeil, i cili ishte skenë luftimesh të ashpra ndërmjet Izraelit dhe guerriljeve Hezbollah. Trupat libaneze u futën dje për herë të parë në qytet.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, thotë se parashikon që Izraeli ta heqë bllokadën ajrore, detare dhe tokësore ndaj Libanit brenda ditës së nesërme.

Izraeli ka thënë se bllokada do të mbetet në fuqi deri sa trupat ndërkombëtare të jenë dislokuar në Liban dhe të jenë marrë masa për ndalimin e furnizimit me armë të Hezbullahut.

Ndërkohë, parlamenti i Turqisë miratoi dërgimin e forcave të armatosura në kuadër të misionit paqëruajtës të OKB-së në Liban. Kryeministri Recep Tajip Erdogan ka bërë thirrje për mbështetjen e misionit pas arritjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut.