Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Anan u takua me zyrtarët iranianë në Teheran për të diskutuar mbi programin bërthamor dhe armëpushimin ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.
Pas bisedimeve të sotme, ministri i jashtëm iranian Manoucher Motaki shprehu mbështetje për rezolutën e OKBsë që i dha fund luftimeve midis militantëve të Hezbollahur dhe forcave izraelite në Liban. Rezoluta kërkon gjithashtu ndalimin e furnizimit me armë të Hezbollahut, i cili mbështetet nga Irani dhe Siria.
Dje, zoti Anan u takua me presidentin sirian Bashar al-Assad, i cili premtoi të shtojë patrullimin përgjatë kufirit me Libanin për të ndaluar fluksin e armëve tek Hezbollahu.
Në Teheran, shefi i OKBsë u takua gjithashtu me kryenegociatorin bërthamor të Iranit, Ali Larijani para bisedimeve të planifikuara me presidentin Mahmoud Ahmadinejad. Larijani u tha gazetarëve se ai mirëpret diskutimet me diplomatët perendimorë mbi programin bërthamor të Iranit.