Tre vetë humbin jetën nga një shpërthim në Turqinë Jugore

Një shpërthim në Turqinë jugore ka shkaktuar vdekjen e 3 vetëve, një ditë pas shpërthimeve në 2 qytete turke nga të cilat u plagosën mbi 20 vetë.

Shpërthimi i sotëm në qytetin Antalya në brigjet e Mesdheut theu xhama dritaresh dhe dëmtoi biznese në këtë pikë të preferuar turistike. Pamjet që vijnë nga skena e ngjarjes tregojnë viktima të gjakosura. Televizioni NTV njofton se ka pasur rreth 20 të plagosur. Zyrtarët kanë filluar hetime.

Dje, nga shpërthime në Stamboll, qyteti më i madh i Turqisë, si dhe në qytetin turistik Marmaris, u plagosën 27 vetë, përfshirë edhe 10 turistë britanikë. Një grup ekstremist kurd, i quajtur Falkonët Kurdë të Lirisë, mori përgjegjësinë për shpërthimet e djeshme në një deklaratë të botuar në internet.

Kjo organizatë ka lidhje me Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve Kurdistanë, e cila filloi një fushatë për krijimin e një shteti kurd në vitin 1984.