Ahtisari: Nuk ka shumë lëvizje në çështjen e statusit pas bisedimeve të Vjenës

Kryenegociatori për statusin e Kosovës Marti Ahtisari, nuk pranoi të pohonte ose mohonte sot nëse negociatat për statusin e Kosovës kanë mbetur në udhëkryq.

Zoti Ahtisari tha se negociatorët ndërkombëtarë kanë intensifikuar përpjekjet për të gjetur zgjidhje për decentralizimin, në mbrojtjen e qendrave kulturore dhe fetare dhe në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. “Mendoj se duhet të bëjmë dallimin midis dy kompleteve të negociatave, njëra është çështja e statusit, për të cilin qëndrimet e palëve janë të njohura dhe nuk kanë lëvizur. Kosovarët duan pavarësi dhe delegacioni i Beogradit insiston në zgjidhjen përmes autonomisë, tha zoti Ahtisari. “Nuk shohim shumë lëvizje në cështjen e statusit që kur u takuam në Vjenë, por ka cështje praktike që ka nevojë të zgjidhen nën cdo rrethanë”, tha ai.

Kryenegociatori konfirmoi se në Vjenë pritet të mbahen takime të tjera javën e parë të shtatorit. “Përmes decentralizimit të administratës, mund të kemi më shumë pushtet për komunat në përgjithësi, por mendoj se është vecanërisht e rëndësishme për komunat serbe të Kosovës”. Në takimin me kryenegociatorin Ahtisari, morën pjesë kryetarët e tri komunave me shumcë serbe në veri, Sllavisha Ristiç, kryetar i komunës së Zubin Potokut, Velimir Bojociq, kryetar i komunës së Leposaviçit, Dragisha Miloviç, kryetar i komunës së Zvecanit si dhe Srba Milenkoviq, bashkërendues për Mitrovicën veriore. “Normalisht, u përqëndruam më shumë në cështjen e decentralizimit që për ne është cështje shumë e rëndësishme”, tha Dragisha Miloviç, kryetar i komunës së Zveçanit, duke shtuar se diskutimet janë përqëndruar vecanërisht në shtimin e kompetencave të komunave, në vecanti në shëndetsi, arsim, polici dhe gjykata.

Zoti Miloviç tha gjithashtu se me kryenegociatorin Ahtisari ishte biseduar edhe për standartet, që sipas tij, nuk janë plotësuar, vecanërisht në cështjen e sigurisë, lirinë e lëvizjes, në kthimin e të zhvendosurve. Ai kundërshtoi gjithashtu ashpër krijimin e një ushtrie të Kosovës. “Mendimi ynë është se Kosova duhet të cmilitarizohet, KFOR-I është këtu, i pranishëm, ne kemi bashkëpunim me KFOR-in; kemi nevojë për cmilitarizim të Kosovës dhe jo krijim të ndonjë ushtrie të re”, tha zoti Miloviç.

Kryenegociatori Ahtisari po vazhdon punën në Prishtinë me grupin negociator të Kosovës, të cilin po përpiqet ta bindë të bëjë lëshime të mëtejshme vecanërisht në cështjen e decentralizimit.