Komandanti ushtarak i NATOs tha se kishte diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara mbi mundësinë e dërgimit të Forcës së re të Reagimit të NATOs në Liban për të ndihmuar në ruajtjen e paqes atje. Por ai tha se dikush në Kombet e Bashkuara kishte vendosur të mos e kërkonte ndihmën e kësaj force. Ndërkohë, dje lindën shqetësime të reja lidhur me çështjen se sa kohë mund t’i duhen OKB-së për të dislokuar një kontingjent të përmasave të mëdha në Liban.
Komandanti i NATOs, gjenerali i Marinës amerikane, James Jones, tha se kishte diskutuar mbi mundësinë e përdorimit të forcës së re të NATO-s në Libanin e jugut me zyrtarë të lartë amerikanë dhe se kishte folur personalisht me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan rreth kësaj ideje.
Por ai tha se të paktën tani për tani, Kombet e Bashkuara kanë vendosur të mos e kërkojnë ndihmën e NATO-s.
Forca e Reagimit të NATOs furnizohet me trupa nga vendet anëtare, siç veprohet gjithmonë në rastin e misioneve ushtarake. Por forca e reagimit është një forcë speciale, e stërvitur në mënyrë të posaçme dhe gjithmonë e gatshme për dislokim të shpejtë.
"Forca e Reagimit e NATOs është e organizuar, e stërvitur dhe e pajisur pikërisht për këtë lloj misioni,” tha gjenerali Jones.
Ai tha se kjo forcë prej 25 mijë trupash ka një sistem komande dhe kontrolli dhe mund të konfigurohet për një larmi misionesh, nga ndihma humanitare tek ndërhyrja me forcë.
Ai vuri në dukje se forca e reagimit e NATOs kohët e fundit kaloi manovrën e certifikimit në ishujt e Kepit të Gjelbër përballë brigjeve të Afrikës Perëndimore.
"Ajo është certifikuar. Pra ajo është në pritje dhe e gatshme për t’u përdorur ashtu siç është planifikuar," tha gjenerali.
Ndërsa Gjenerali Jones thotë se Forca e Reagimit e NATO-s është e gatshme, Kombet e Bashkuara po hasin në vështirësi përsa i përket grumbullimit të një force të tyre të zgjeruar për Libanin.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit e miratuar në fillim të këtij muaji, e cila çoi në armëpushimin e tanishëm, kërkon zgjerimin e kontingjentit të OKB-së në Liban nga 2,000 në 15 mijë trupa.
Franca ka thënë se do të jetë ajo që do ta drejtojë këtë forcë por sipas një njoftimi të djeshëm të gazetës Le Monde, ajo do të dërgojë vetëm një kontingjent të vogël.
Zyrtarët e OKB-së kanë vizituar kohët e fundit vende të tjera që kanë ofruar forca për të përcaktuar se sa trupa të mundshme janë gjithsej në dispozicion, cilat janë aftësitë e tyre dhe për sa kohë mund të dislokohen ato.
Zyrtarët thonë se shpresojnë të jenë në gjendje të dërgojnë 3 mijë trupa shtesë në Libanin e jugut brenda dy javëve të ardhëshme. Gjenerali Jones thotë se nuk e di se përse Kombet e Bashkuara vendosën të mos e përdorin forcën e NATO-s për këtë mision, qoftë edhe për të vendosur një farë stabiliteti deri sa kontongjenti i OKB-së të jetë gati.
Por ministrja franceze e mbrojtjes, Mishel Alio-Mari (Michele Alliot-Marie), dha të mërkurën disa shenja se përse NATO-s nuk i ishte kërkuar ndihma. Në një intervistë me stacionin televiziv France 2, ajo tha se një forcë ndërkombëtare për Libanin e jugut duhet të ketë brenda saj edhe përfaqësimin e vendeve arabe, në mënyrë që të mos duket sikur kemi të bëjmë me një kundërvënie mes “botës Perëndimore dhe asaj myslimane." //ii