Historia e gazetares Xhill Kerëll

Gazetarja që u mbajt peng në Irak për 82 ditë po tregon tani historinë e saj. Jill Carroll kishte kontakte më të ngushta me kryengritësit irakianë sesa çdo amerikan tjetër. T

Gazetarja Jill Carroll punonte për gazetën amerikane The Christian Science Monitor. Ajo u rrëmbye më 7 janar në Bagdat nga një grup i quajtur Brigadat Hakmarrëse. Rrëmbyesit vranë përkthyesin e saj Alan Enwiya. "Nga e çara e derës pashë Alanin dhe pashë si e vranë". Carroll thotë se disa momente më vonë një nga rrëmbyesit morri në telefon familjen e tij t’i thoshte se po iu çonte Carroll në shtëpi. "Kur e mbylli telefononin tha, nëna ime, motra dhe gruaja ime thonë se të adhurojnë dhe janë të mrekulluara që po shkon atje".

Carroll beson se kryengritësit e çuan atë të paktën në gjashtë shtëpi të tjera gjatë qëndrimit të saj 82 ditor si peng. Ajo thotë se kishte frikë çdo ditë për jetën e saj.

Rrëmbyesit kërkonin t’i mësonin asaj Kuranin, kështu që Carroll mësoi përmendësh pasazhe ndërsa i lexonin Kuranin për orë të tëra. Disa muaj para se udhëheqësi terrorist Abu Musab al-Zarqawi u vra në Irak, rrëmbyesit i thanë asaj se ishin të frymëzuar nga Zarqawi dhe ideja e xhihadit botëror. Ajo thotë se anëtarët e familjeve brenda kryengritjes bashkëpunonin ngushtë, përfshi një djalë pesë vjeçar, prindërit e të cilit ndihmonin të ruanin Carroll-in. "Ai djalë i vogël, me zë të butë që thoshte jam muxhahedin, jam muxhahedin, ishte vetëm pesë vjeç dhe arrita ta njihja mirë këtë fëmijë. Ishte shumë i lezetshëm".

Carroll thotë se u trondit kur mësoi se gruaja shtatëzënë e njërit prej rrëmbyesve të saj donte të ishte atentatore vetvrasëse. "Ishim në guzhinë, kur burri i saj erdhi dhe tha ajo kërkonte të sakrifikonte veten. Ajo e pohoi menjëherë duke u skuqur në fytyrë pasi ai po e lavdëronte dhe ishte shumë krenare për këtë".

Ushtria amerikane ka arrestuar katër irakianë që dyshohet të jenë të përfshirë në rrëmbimin e Carrollit. Por Carroll beson se familjet e tyre do të vazhdojnë të luftojnë."Ajo nënë do t’i rrisë dhe edukojë fëmijët e saj të bëhen luftëtarë dhe të vrasin. Ai djalë i vogël do të jetë në rrugë duke pritur për një partullë të afrohet dhe t’i japë sinjalin dikujt të aktivizojë lëndën shpërthyese. E gjithë familja është në operacion. Çfarë mund të bësh? T’i arrestosh të gjithë? T’i vrasësh të gjithë? ", pyet Carroll.

Më 30 mars, kryengritësit i dhanë Carrollit rroba të reja dhe e hipën në një makinë. Ajo mendonte se do ta vrisnin derisa një nga rrëmbyesit i ofroi para. "Filloi të nxirrte para nga portofoli dhe më dha në dorë qindra dollarë duke thënë “kjo njëqind dollarëshe është pasi ndjehemi fajtorë që të shkaktuam shqetësime, kjo tjetra është për kompjuterin tënd, kurse kjo për babanë tënd. I thuaj të na falë. Kjo është për nënën tënde i thuaj na vjen keq".

Carroll u lirua por thotë se ende ndjehet përgjegjëse për vdekjen e Alan Enwiyas, mikut dhe përkthyesit të saj.