Departamenti amerikan i shtetit shpreson për arritjen shpejt të një rezolute të Këshillit të Sigurimit për ndalimin e luftimeve në Liban

  • David Gollust

Sekretarja amerikane e shtetit Kondoliza Rajs tha, pasi u kthye të hënën e kaluar nga misioni i saj për zgjidhjen e krizës në Lindjen e Mesme, se shpresonte që një rezolutë armëpushimi mund të arrihej këtë javë në Këshillin e Sigurimit.

Por negociatat në Kombet e Bashkuara janë ngadalësuar nga grindjet rreth rendit të masave paqëruajtëse midis Izraelit dhe Hebollahut. Megjithëse ata nuk përjashtojnë mundësinë e arritjes së një marrëveshje që sot, zyrtarët e departamentit të shtetit thonë se arritja e një rezolute në fillim të javës së ardhshme është më realiste.

Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i departamentit të shtetit Shan Mek-kormak tha se zyrtarë të lartë të administratës janë gati të punojnë gjatë gjithë fundjavës lidhur me Libanin. Ai tha se sekretarja Rajs do të shkojë në fermën e presidentit Bush në Texas për takime të shtunën dhe të dielën me presidentin dhe Këshilltarin e Sigurimit Kombëtar, Stivën Hadli.

Franca është në krye të përpjekjeve në Kombet e Bashkuara për një rezolutë armëpushimi dhe këmbëngul, bashkë me vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, që një armëpushim duhet t’i paraprijë dislokimit të një force të re paqëruajtëse ndërkombëtare dhe një kornize më të gjerë paqeje.

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qarta se i shikojnë elementë të ndryshëm si të gërshetuar me njeri tjetrin dhe se armëpushimi duhet të shoqërohet me marrëveshje politike për të siguruar që përfundimi i luftimeve të jetë i përhershëm.

I pyetur rreth kësaj mosmarrëveshjeje, zëdhënësi i departamentit të shtetit Shan Mek-kormak këmbënguli se problemet nuk janë të pakapërcyeshme.

“Si të përcaktohet koha dhe rendi i të gjithë elementëve, si të bashkërendohen ato kur bëhet fjalë për masat dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo është një çështje që po diskutojmë dhe po sheshojmë me aleatët. Ne kemi mendime të përbashkëta me miqtë dhe aleatët tanë lidhur me këtë çështje. Dhe siç thashë edhe dje, ne po punojmë rreth një teksti të përbashkët.”

Zëdhënësi Mek-kormak tha se sekretarja Rajs do të dërgojë në Lindjen e Mesme ndihmës sekretarin e jashtëm për çështjet e Lindjes së Afërme, David Uelç, për bisedime me palët e interesuara, megjithëse ai nuk dha hollësi rreth itenerarit të zotit Uelç.

Ai tha gjithashtu se sekretarja Rajs dhe Sekretari i Mbrojtjes Donald Ramsfeld kanë miratuar një plan emergjent për Shtetet e Bashkuara që të ndihmojë në stërvitjen dhe pajisjen e forcave të armatosura të Libanit, në mënyrë që ato të kenë nën kontroll të gjithë teritorin e vendit, kur të marrin fund luftimet midis Izraelit dhe Hezbollahut. Të paktën 10 milion dollarë janë caktuar për këto përpjekje, të cilat ende po formulohen nga Pentagoni. //ze