Trupat izraelite hyjnë në Libanin jugor

Trupat izraelite, të mbështetura nga aviacioni hynë në pjesën jugore të Libanit në përpjekje për të marrë nën kontroll një bazë të ekstremistëve Hezbollah.

Luftime të ashpëra u njoftuan sot mes forcave izraelite dhe ekstremistëve në afërsi të qytetit Bint Jbail. Zyrtarë të ushtrisë izraelite thanë se të paktën 10 ushtarë u plagosën dhe 7 luftëtarë të Hezbollahut u vranë në përleshje. Dy ekstremistë u kapën nga forcat izraelite.

Hezbollahu goditi përsëri me disa raketa pjesën veriore të Izraelit, duke plagosur të paktën dy vetë në Tiberias dhe një në Shlomi. Ndërkohë, dy pilotë izraelitë humbën jetën kur helikopteri i tyre u rrëzua në Izraelin verior. Sipas lajmeve fillestare, helikopteri ndeshi në një linjë elektrike, por më vonë zyrtarët thanë se po hetojnë shkakun e rrëzimit, përfshirë edhe mundësinë e zjarrit të armikut.//lk