Metodë e re për të monitoruar përhapjen e armëve bërthamore

Shkencëtarët kanë zbuluar një metodë për të monitoruar përhapjen e armëve bërthamore. Ata kanë një mekanizëm të vogël i cili zbulon ujin e rëndë që përdoret për prodhimin e lëndëve shpërthyese bërthamore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Frank Ling, ky instrument mund të zbulojë gjithashtu agjentët e luftës biologjike si dhe sëmundjet e shkaktuara prej tyre.

Si mund të kuptohet nëse komshiu yt është duke prodhuar një bormbë atomike? Duke kontrolluar ujin e tij, thonë shkencëtarët.

Perëndimi është i shqetësuar për përhapjen e armëve bërthamore tani që Korea e Veriut dhe Irani po përpiqen të prodhojnë armë të tilla.

Shkencëtari amerikan në Laboratorin Kombëtar Los Alamos, William Priedhorsky, thotë se qeveria po gjen mënyra për të diktuar uraniumin ose plutoniumin që përdoret në armët bërthamore.

"Këta janë dy përbërësit e mundshëm të bombës: uraniumi ose plutoniumi i pasuruar në shkallë të lartë. Ne po punojmë për një gamë të gjerë teknologjish në përpjekje për të diktuar ose prodhimin e plutoniumit ose pasurimin e uraniumit sepse këto janë dy mënyrat për të zbuluar prodhimin e bombës."

Veç kërkimit për këto materiale, të cilat mund të fshihen lehtë, ka edhe shenja të tjera po aq të rëndësishme. Njëra prej tyre është uji i rëndë, i cili përdoret për transformimin e uraniumit në plutonium, lëndës shpërthyese që përdoret për bombat.

"Nuk ka shumë njerëz që do të përdornin ujin e rëndë për gjëra që nuk lidhen me armën bërthamore, pra nëse dikton ujë të rëndë, kjo do të ishte një shenjë me shumë interes."

Uji i rëndë quhet kështu sepse çdo molekulë e tij ka dy atome deuteriumi në vend të dy atomeve të hidrogjenit që gjenden në ujin e zakonshëm. Deuteriumi është dy herë më i rëndë se hidrogjeni sepse atomet e tij kanë një neutron që nuk e ka hidrogjeni.

Uji i rëndë diktohet me vështirësi sepse haset rrallë në natyrë. Por shkencëtari i Institutit Teknologjik të Kalifornisë, Kerry Vahala dhe kolegët e tij kanë gjetur një mënyrë të re për diktimin e tij:

Teknika e tyre mat diferencat e vogla në përbërjen e komponive të tilla siç është uji.

Vahala thotë se ky është një detektor i vogël në formë rrethi që i ngjan një doreze sintonizimi. Duke matur ndryshimet në tingëllimën që ai lëshon, mund të përcaktohet se çfarë molekule ka kaluar pranë tij.

"Secili prej këtyre mekanizmash në formë rrethi lëshon një tingull karakteristik dhe pastërtia e tonit është aq e lartë saqë kur një molekulë e prek atë, toni ndryshon. Duke matur ndryshimin e frekuencës së tonit, mund të përcaktohet nëse rrethi është prekur apo jo nga ndonjë molekulë e huaj."

I financuar nga ushtria amerikane, ekipi i shkencëtarit Kerry Vahala po përpiqet ta bëjë mekanizmin akoma më të ndjeshëm. Ai thotë se mekanizmi është tani aq i ndjeshëm sa që mund të diktojë sasi tepër të vogla të ujit të rëndë brenda ujit të zakonshëm.

Vahala beson se duke u përsosur më tej, mekanizmi i tyre mund të arrijë të zbulojë deri edhe molekula të veçanta.