Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs do të niset për në Lindjen e Mesme, e cila është bërë skenë e një dhune të re dhe të ashpër. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit nuk dha hollësi rreth itinerarit të saj, por tha se udhëtimi mund të fillojë që javën e ardhëshme.
Zëdhënësi i departamentit të shtetit Sean McKormack u tha gazetarëve se Uashingtoni nuk e ka ndryshuar qendrimin e tij se Izraeli ka të drejtën të vetmbrohet. Ai theksoi se kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në konfliktin mes Izraelit dhe grupit ekstremist Hezbollah në Liban, i cili ka rrëmbyer dy ushtarë izraelitë në një sulm nga përtej kufirit, duke nxitur kundërpërgjigjen ushtarake izraelite.
“Puna jonë nuk është t’i vëmë kufij kohorë vendeve sovrane që mbrojnë veten. Sigurisht, ne do të donim që dhunës t’i jepej fund, por hapi i parë për t’i dhënë fund dhunës duhet të ndërmerret nga ata që e provokuan këtë dhunë, pra nga Hezbollahu. Ata duhet të ndalin sulmet me raketa dhe të kthejnë ushtarët.”
Ai tha se po bëhen përpjekje të mëdha ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje politike për krizën, por shtoi se Uashingtoni do që rezultatet të jenë afatgjata dhe të qendrueshme. Zëdhënësi shtoi se një nga çështjet që po diskutohet është vendosja e një force paqeruajtëse ndërkombëtare.
“Ka shumë ide për këtë. Unë e di që sekretari i përgjithshëm i OKB-së Anan dhe kryeministri Tony Blair kanë folur për këtë. Sigurisht që ne do të sjellim në tavolinë disa nga idetë tona për mundësitë e zgjidhjes së situatës.”
Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për dhënien e ndihmës humanitare popullit libanez, të cilën ai i përshkroi si viktimë dhe si peng të Hezbollahut.
“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë izraelite dhe qeveritë e tjera në rajon, për idenë e krijimit të korridoreve humanitare, në mënyrë që ndihmat humanitare të hyjnë në Liban.”
Ai tha se bashkëpunimi i qeverisë izraelite me çdo lloj plani humanitar do të ishte jetik, për shkak të bllokadës së vendosur nga marina izraelite në bregdetin libanez.