Vjenë: Raundi tjetër për trashëgiminë kulturore dhe fetare përfundon pa marrëveshje

Prishtina dhe Beogradi zhvilluan të martën në Vjenë një raund tjetër bisedimesh lidhur me trashëgiminë kulturore dhe fetare pa arritur ndonjë marrëveshje. Bisedimet u kryesuan nga drejtuesi i departamentit për çështje politike Petr Ivantsov dhe u përqëndruan në çështjen e zonave të mbrojtura përreth kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë.

Zoti Ivantsov ka thënë se diskutimet u bazuan në propozimet e bëra nga ekspertët ndërkombëtarë, pas vizitës që ata bënë në Kosovë nga 12 deri në 18 qershor. Delegacioni ka vizituar 13 qendra fetare ortodokse në Kosovë. Drejtuesi ndërkombëtar i bisedimeve ka thënë se ata kanë diskutuar për parametrat e ndryshëm të zonave konkrete dhe se deri tani nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

“Kemi propozimet e të dyja palëve, kemi rekomandimet tona, do të ulemi me ekspertët ndërkombëtarë dhe do të shohim nëse mund të arrijmë në një kompromis të arsyeshëm”, ka thënë zoti Ivantsov.

Ai ka shpjeguar se bisedimet për këtë cështje do të vazhdojnë së shpejti dhe I ka ftuar palët që të paraqesin propozimet e tyre lidhur me një mekanizëm për të vëzhguar dhe zbatuar marrëveshjen për trashëgiminë fetare dhe kulturore. Zoti Ivantsov ka thënë se takimi i rradhës për këtë cështje mund të mbahet pas takimit të nivelit të lartë midis Prishtinës dhe Beogradit më 24 korrik. Zoti Ivantsov ka thënë gjithashtu se ka pasur edhe çështje të tjera që kanë mbetur pa u diskutuar, përveç zonave të mbrojtura.

Ka qenë mekanizmi për vëzhgimin dhe zbatimin e marrëveshjeve në fushën e trashëgimisë kulturore, çështja e pasurive arkeologjike të marra nga Beogradi në Prishtinë në vitin 1999 dhe një çështje mjaft teknike, sic ka thënë ai, një listë që negociatorët ndërkombëtarë e kërkojnë, një listë me kërkesat e posacme të kishës në fushën e taksave dhe doganave. Zoti Ivantsov ka thënë se ka pasur kohë sot për të diskutuar vetëm një cështje, atë të zonave të mbrojtura dhe se madje as për këtë, nuk është arritur të përfundohet diskutimi.

Bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë nesër me çështjen e decentralizimit ku Prishtina shkon me një ofertë të re për serbët e Kosovës, ofrimi i dy komunave të reja me shumicë serbe, që e çon në 6 ofertën e Prishtinës për to. Ky takim do të përqëndrohet në parimet e decentralizimit, komunat e reja me shumicë serbe dhe çështjen e Mitrovicës. Negociatorët ndërkombëtarë do të takojnë të dy delegacionet vec e vec dhe më pas do të ketë një sesion të përbashkët plenar nën kryesimin e tyre.