Ëndrra e Gjermanisë përfundoi të martën kur ajo humbi 0-2 me Italinë. Por me sa duket ky nuk është i vetmi zhgënjim për gjermanët. Rritja ekonomike që pritej të sillte kampionati duket se nuk ka qënë aq sa mendohej.
Gjermanët shpresonin se fakti që ishin mikëpritësit e Kampionatit Botëror të këtij viti do ta favorizonte ndjeshëm ekonominë e tyre. Dy milion turistë, dyfishi i numrit që pritej, vërshuan në mbarë vendin gjatë garës një mujore, duke shpenzuar paratë e tyre për ushqim, hotele dhe mallra që lidheshin me kampionatin.
Por Instituti për Kërkime Ekonomike në Gjermani llogarit tani se efekti i kampionatit në rritjen ekonomike kombëtare nuk do të jetë aq sa pritej por vetëm zero presje 25 përqind.
Ekonomisti Gerdt Wagner thotë se e priste një gjë të tillë: “Ngjarja është thjesht jo aq e madhe sa të ndikojë në ekonominë e vendit. Do të investohen disa miliardë euro, por ky investim u nda në disa vjet dhe është shumë i vogël për të nxitur rritjen ekonomike. Kështu që sasia e investimit është e debatueshme pasi investimi në infrastrukturë do të ishte bërë edhe pa kampionatin”.
Megjithë orët e zgjatura, shumë dyqane njoftuan se biznesi ka rënë; lajm jo i mirë për tregëtarët, por edhe për qeverinë gjermane. Ajo shpresonte tek rritja e të ardhurave nga taksat që do të vinte nga shitjet për të ndihmuar stimulimin e ekonomisë dhe për të dalë nga periudhën e gjatë e ngadalësimit ekonomik.
Një anketim i vizitorëve bërë nga autoritetet gjermane të turizmit tregon se më shumë se 90 përqind e tyre u ndjenë të mirëpritur në Gjermani dhe do ta rekomandonin ata si destinacion turistik. Përse ata nuk harxhuan më shumë? Kjo është ende objekt debati megjithëse edhe fituesit nuk munguan.
Sponsorizuesi i kampionatit, Adidas njoftoi rreth 30 përqind rritje të shitjeve, ose 1 presje 5 miliardë dollarë. Kompania ka shitur 15 milion topa futbolli krahasuar me vetëm 6 milion në vitin 2002. //rd//