Forcat amerikane vranë figurën kryesore të al-Kaidës në Irak, jordanezin Abu Musab al-Zarqawi në një goditje ajrore në veri-lindje të Bagdadit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Miajkell Bauman njofton nga Washingtoni se lajmi u mirëprit në pjesën më të madhe të Irakut dhe u përshëndet nga udhëheqësit botërorë:
Në Bagdad dhe pjesë të tjera të Irakut filliun festime spontane pasi zyrtarët irakianë dhe amerikanë njoftuan se Zarqavi dhe disa nga këshilltarët e tij kryesorë ishin vrarë. Gjatë një konferencë shtypi në Bagdad, u transmetuan pamje filmike nga kabina e njërit prej dy avionëve amerikanë, që u angazhuan në operacionin ajror duke lëshuar një bombë masive në një shtëpi ferme që përdorej si bazë e fshehtë e terroristëve pranë kryeqytetit rajonal të Bakubës.
“Nuk kishim asnjë dyshim se Zarqavi ishte brenda asaj shtëpie. Ishte 100 për qind e konfirmuar. Dhe ishte pikërisht objektivi që ne kishim vënë në shënjestër për të goditur”- tha gjenerali Kejsi.
Komandanti i forcave të koalicionit në Irak, Gjenerali Xhorxh Kejsi tha se trupi i Zarqawit ishte identifikuar plotësisht nga shenjat e gishtërinjve, nga tiparet e fytyrës dhe shenja të tjera të trupit.
Ministri i Jashtëm i Irakut Hoshiar Zebari deklaroi: "Është një ditë e madhe për popullin e Irakut."
Edhe presidenti Bush e përshëndeti lajmin nga Shtëpia e Bardhë:
“Zarqawi personalisht u ka prerë kokat pengjeve amerikane dhe civilëve të tjerë në Irak. Ai ishte organizatori i sulmit ndaj zyrave të OKB-së në Bagdad. I uroj trupat tona për këtë arritje të madhe. Zarqavi vdiq. Por puna e vështirë dhe e nevojshme në Irak vazhdon. Ne parashikojmë që terroristët dhe kryengritësit të vazhdojnë edhe pa të”.
Edhe kryeministri britanik Tony Blair foli me një ton të kujdesshëm. Ai tha se një goditje ndaj al-Kaidës në Irak, është goditje ndaj al-Kaidës kudo, por shtoi se ende mbeten shumë pengesa për t’u kapërcyer në betejën kundër terrorizmit.
Në Bruksel, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Ramsfeld tha se forcat amerikane kishin disa kohë që e ndiqnin Zarqawin. Kur e gjetën se ku ishte, ato vendosën që të mos ndërmerrnin një sulm tokësor në bazën e terroristëve, pasi druheshin se ai mund të ikte. Zoti Rumsfeld që po merr pjesë në një takim të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s tha se askush nuk kishte vrarë më shumë të pafajshëm vitet e fundit sesa Zarqavi.
“Duke pasur parasysh natyrën e rrjeteve terroriste, vdekja e Zarqavit, megjithëse shumë e rëndësishme, nuk do të thotë se iu dha fund dhunës në atë vend. Por nuk duhet të ketë dyshim se fakti që ai ka vdekur është një fitore e rëndësishme në betejën kundër terrorizmit në atë vend dhe në gjithë botën”.
Komandantët e ushtrisë amerikane që tani kanë filluar të analizojnë se kush mund ta zërë vendin e Zarqawit, si drejtues kryesor i al-Kaidës në Irak. Vrasja e tij u njoftua në një kohë që parlamenti i Irakut miratoi kandidatët e kryeministrit Nouri al-Maliki për Ministritë e Mbrojtjes dhe të Brendshme, duke i dhënë fund bllokimit disa javor politik mbi këto poste në qeverinë e re të unitetit në Irak.//lk